Protesta kundër qeverisë vijon mes tensioneve të larta në Tiranë. Të rinjtë dhe studentët kanë zmbrapsur autobotin e ujit dhe kanë vendosur barrikada në rrugë, ndërsa protestuesit kanë hedhur sende në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
“Ky pushtet ka mbaruar sonte”, është shprehur një prej protestuesve, duke shprehur revoltën ndaj qeverisë.
Ndërkohë, policia ka përdorur sërish autobotin, i cili ka lëvizur në drejtim të turmës duke hedhur ujë me presion. Në drejtim të protestuesve është hedhur gjithashtu gaz lotsjellës në mënyrë masive.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, të rinjtë vijojnë të qëndrojnë në rrugë, ndërsa protesta po shtrihet në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Situata mbetet e tensionuar, me përplasje të përsëritura mes protestuesve dhe policisë. Demonstruesit vijojnë të shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.


