Nxënësja Dorela Elmazi nga Zhelina e Tetovës, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën Maarif në Tetovë, po përfaqëson me krenari Maqedoninë e Veriut në Ankara të Turqisë, duke promovuar kulturën, traditat dhe vlerat e popullit shqiptar, si dhe rëndësinë e arsimit në shkollat fillore.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të institucioneve arsimore Maarif, me moton „Ata që ndërtojnë të ardhmen“, një mesazh që thekson rëndësinë e dijes, edukimit dhe bashkëpunimit ndërmjet kulturave dhe popujve.
Në programin e këtij aktiviteti ishte paraparë edhe një performancë artistike, si dhe një takim me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Në këtë kuadër, Dorela pati mundësinë të bisedojë rreth cilësisë së mësimdhënies dhe arsimit në Maqedoninë e Veriut, duke përfaqësuar vendin e saj në këtë ngjarje me rëndësi ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Dorelës është një vlerësim i veçantë për të, për familjen e saj, për shkollën Maarif në Tetovë dhe për gjithë Zhelinën. Njëkohësisht, ajo dëshmon se të rinjtë tanë, përmes dijes, talentit dhe përkushtimit, mund të jenë ambasadorë të denjë të kulturës dhe traditave shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Dorelës i urojmë shëndet, suksese të vazhdueshme dhe arritje edhe më të mëdha në rrugëtimin e saj arsimor dhe jetësor. Qoftë kjo përvojë një shtysë për suksese të reja dhe një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët e saj!




