Tirana në kolaps total, “gjendje lufte” në çdo rrugë e lagje

Mbi 12 orë protesta dhe përplasje kanë rënduar situatën në kryeqytet. Demonstruesit janë shpërndarë në rrugë dhe lagje të ndryshme të Tiranës, ndërsa trafiku është paralizuar në akset e prekura, semaforët janë dëmtuar dhe disa kioska janë përfshirë nga flakët. Në disa zona raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike, ndërsa policia vijon ndërhyrjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Tirana po përballet me një situatë të rënduar pas më shumë se 12ë orësh protestash, përplasjesh me policinë dhe incidentesh të shumta në rrugët e kryeqytetit. Trafiku është paralizuar në disa akse, semaforët janë shkatërruar, kioska janë djegur dhe në disa zona raportohet mungesë e energjisë elektrike në rrugë.

Protestuesit nuk janë më të përqendruar në një vend të vetëm. Grupe demonstruesish janë shpërndarë në rrugë dhe lagje të ndryshme, duke vijuar marshimin dhe duke ndryshuar vazhdimisht drejtim pas ndërhyrjeve të forcave të rendit.

Tirana në kolaps total, "gjendje lufte" në çdo

Situata ka krijuar vështirësi të mëdha për qarkullimin. Në akset ku janë grumbulluar protestuesit, lëvizja e automjeteve është bllokuar ose kufizuar ndjeshëm, ndërsa dëmtimi i semaforëve ka rënduar më tej kushtet e trafikut.

Tirana në kolaps total, "gjendje lufte" në çdo

Në disa zona të Tiranës janë regjistruar edhe zjarre, të cilat kanë shkaktuar tym dhe dëme materiale. Kioska janë përfshirë nga flakët pranë Kryeministrisë, në Parkun Rinia, në Rrugën e Elbasanit dhe në zonën e Shallvareve, pranë kompleksit “Tajvani”.

Në zonën e Zogut të Zi janë djegur kosha mbeturinash dhe struktura reklamash, ndërsa një tjetër incident është regjistruar në hyrje të Ministrisë së Financave, ku është vënë zjarr. Në rrugët kryesore ka gurë, kosha mbeturinash, mbojtëse metalike, inerte, objekte te ndryshme, etj. Me pak fjalë kudo ku kalohet duket si “gjendje lufte”.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar në disa pika. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, demonstruesit kanë hedhur gurë dhe fishekzjarrë drejt efektivëve, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Tensione janë regjistruar edhe pranë Ministrisë së Brendshme, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës pas hedhjes së gurëve nga protestuesit.

Gjatë ditës, turma ka marshuar në Rrugën e Elbasanit, pranë stadiumit dhe Presidencës, në zonën e Librit Universitar, përgjatë bulevardit “Zogu I”, te Zogu i Zi dhe në Rrugën e Kavajës.

Lëvizja e protestuesve në disa drejtime, prania e shtuar e forcave të rendit dhe incidentet e vazhdueshme kanë vështirësuar qarkullimin dhe funksionimin normal të qytetit.

Dëme janë regjistruar edhe në institucione financiare dhe biznese private. Disa degë bankare janë sulmuar gjatë ditës, ndërsa në degën e BKT-së përballë Ambasadës Amerikane protestuesit kanë hyrë në ambientet e brendshme, kanë nxjerrë dokumente dhe u kanë vënë flakën në rrugë. Pranë bankës janë goditur edhe dy dyqane të kompanive celulare.

Ndërkohë, policia ka vendosur kordone në disa akse dhe ka shoqëruar një numër të madh personash. Autoritetet nuk kanë publikuar ende një bilanc përfundimtar të të shoqëruarve, dëmeve materiale dhe personave të lënduar.

Krahas incidenteve, protestuesit kanë vijuar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës aktuale politike. Ata kanë paralajmëruar një tjetër tubim për nesër, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Pas më shumë se 12 orësh demonstratash, kryeqyteti përballet me trafik të paralizuar në disa rrugë, semaforë të dëmtuar, kioska të djegura, ndërprerje të raportuara të energjisë elektrike në rrugë dhe prani të shtuar policore.