Flakët përpijnë një Mercedes në Shkup, dëmtohet edhe një veturë tjetër

Një automjet i tipit “Mercedes” është shkrumbuar plotësisht nga zjarri që shpërtheu në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në komunën Aerodrom të Shkupit. Flakët u përhapën edhe në një automjet tjetër të parkuar pranë tij.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), zjarri është raportuar më 15 tetor, rreth orës 02:55.

Automjeti “Mercedes”, në pronësi të një personi juridik, ishte parkuar nga S.T. (43) nga Shkupi, ndërsa flakët përfshinë edhe një “Opel Astra”, në pronësi të I.R. (43), po ashtu nga Shkupi.

Në vendngjarje ndërhynë ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve, të cilat arritën ta shuajnë zjarrin. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar.

Policia po heton rrethanat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.