Ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, dy net më parë u prit nga bashkëqytetarët e tij në Çair të Shkupit me flakadanë dhe flakadan tymues, pasi iu hoq masa e arrestit shtëpiak.
Grubi doli nga arresti shtëpiak pasi skadoi afati maksimal ligjor i paraparë për këtë masë. Sipas njoftimit të gjykatës, në përputhje me nenin 470 të Ligjit për Procedurën Penale, masa e paraburgimit ose e arrestit shtëpiak, pas ngritjes së propozim-akuzës, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, përcjellë Top24
Mbrojtja pretendon se Grubi nuk ishte organizator i tubimit dhe se ngjarja nuk kishte karakter politik, duke u distancuar nga organizimi i saj. Megjithatë, një pjesë e opinionit publik ka shprehur pakënaqësi për festimin, duke ngritur pikëpyetje nëse drejtësia është shndërruar vetëm në një “skenë teatri”.
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve juridike, Gordan Kallajxhiev, vlerëson se rasti i Grubit është politizuar që nga fillimi. Sipas tij, çështja që lidhet me “Lotarinë Shtetërore” nuk është domosdoshmërisht penale dhe është mjaft kontroverse.
“Bëhet fjalë për atë nëse ‘Lotaria Shtetërore’ ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike të fatit, prandaj nuk është plotësisht e qartë nëse ka pasur fare ndonjë dëm për institucionin. Mendoj se nuk ka bazë për përgjegjësi penale”, deklaroi Kallajxhiev për median maqedonase “Lokalno”.
Nga ana tjetër, profesori vlerëson se festimi për lirimin e Grubit nga arresti është një skenar i njohur në bllokun politik shqiptar dhe se një veprim i tillë nuk ndihmon në ndërtimin e besimit.
Një tjetër çështje që po ngjall reagime në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari është largimi nga vendi i Iva Mihailovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ende po heton se si Mihailova, e akuzuar për një aksident trafiku me një viktimë dhe tre persona të lënduar, ka arritur të largohet nga Maqedonia. Për të është lëshuar fletarrest ndërkombëtar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse ajo ka kaluar në mënyrë të ligjshme në ndonjë pikë kufitare.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale po ndërmerr veprime për të sqaruar rrethanat e rastit.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë pret njoftim zyrtar nga MPB-ja nëse Mihailova është arrestuar apo lokalizuar në një shtet tjetër, në mënyrë që të mund të nisë procedura e ekstradimit.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se autoritetet bullgare janë të detyruara ta arrestojnë dhe ta dorëzojnë automatikisht te institucionet maqedonase, pasi sipas legjislacionit përkatës, shtetasit bullgarë nuk ekstradohen.
Në skenën politike vazhdojnë akuzat mes pushtetit dhe opozitës. Nga VMRO-DPMNE kanë ngritur pyetjen nëse Venko Filipçe, së bashku me Zoran Zaevin, u kanë premtuar bashkëpunëtorëve të afërt të Rumen Radevit se mund të përgatisnin një raport mjekësor për Mihailovën, sipas të cilit trajtimi i saj i mëtejshëm nuk do të mund të realizohej në Maqedoni, por në Bullgarinë fqinje.
“Pas shpinës së qytetarëve, nën radar, janë marrë vesh me Bullgarinë dhe e kanë lejuar Ivën Mihailova të kalojë kufirin. Thirret ambasadori bullgar, lëshohet fletarrest, kërkohet paraburgim, përgjegjësia i kalohet dikujt tjetër dhe zhvillohet fushatë mediatike, ndërsa fajtorë bëhen Filipçe, Zaev dhe LSDM-ja”, deklarojnë nga partia opozitare.
Kallajxhiev e krahason rastin e Mihailovës me një serial televiziv turk, duke vlerësuar se mediat dhe politika po i japin rëndësi të tepruar çështjes.
“Media dhe politika i japin rëndësi të panevojshme. Maqedonia do të kërkojë ekstradimin dhe pothuajse me siguri nuk do ta marrë. Nga ana juridike, Bullgaria do të duhej ta gjykonte atje, por as nga kjo nuk besoj se do të ketë rezultat. Në fund të fundit, nuk është dënim i vogël edhe fakti që Iva ndoshta nuk do të mund të vijë më në Maqedoni dhe me gjasë as të udhëtojë në shtete të treta që mund ta ekstradojnë”, thekson profesori.
Ai shton se, teorikisht, Mihailovës mund t’i gjykohet edhe në mungesë, ndërsa dënimin mund ta vuajë në Bullgari.
“Gjëja më ironike është se tani bullgarët na e kanë përplasur në fytyrë tregimin për besimin prej 2 për qind”, shprehet Kallajxhiev.
Për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se duhet të shqyrtohen ndryshime në masat e kujdesit për personat me shtetësi të dyfishtë evropiane, duke përfshirë mundësinë që, përveç pasaportave, t’u konfiskohen edhe letërnjoftimet.


