Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian kanë filluar negociatat për të krijuar një zonë të lirë roaming dhe secili vend në rajon do të negociojë individualisht, sipas gatishmërisë së tij, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanoviq
Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian po fillojnë negociatat për të krijuar një zonë të lirë roaming dhe secili vend në rajon do të negociojë individualisht, sipas gatishmërisë së tij, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq. Ai u tha gazetarëve në Samitin e tetë Dixhital të Ballkanit Perëndimor se fillimi i negociatave është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të rajonit me tregun dixhital evropian, duke kujtuar se më parë, pas disa vitesh pune me operatorët dhe rregullatorët e telekomunikacionit, u krijua një zonë e lirë roaming brenda Ballkanit Perëndimor.“Është një hap vërtet serioz përpara, që mund të quhet edhe përfshirja graduale e Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Brukseli planifikon të zgjerojë programin “Roam Like at Home” në të gjashtë vendet e rajonit deri në fund të vitit 2028, por shpejtësia e hyrjes do të varet nga reformat e tyre.
Deri në vitin 2028, qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut,Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, dhe Serbia, duhet të jenë në gjendje të përdorin shërbimet e telekomunikacionit në vendet e Bashkimit Evropian me të njëjtat çmime si në vendet e tyre. Është një program i Bashkimit Evropian, i cili dëshiron t’i integrojë të gjitha këto vende në sistemin e tij. Procesi ka filluar zyrtarisht, por pyetja është se kur do ta përfundojë cili vend. Kohë më parë në intervistë, për 360 gradë ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski foli edhe për futjen e paralajmëruar të roaming me çmime vendase për qytetarët maqedonas në vendet e Bashkimit Evropian,njoftoi se Maqedonia tashmë e ka marrë draft-tekstin e marrëveshjes, i cili është dorëzuar në institucionet kompetente për shqyrtim.
Sipas tij vendi e ka përfunduar plotësisht detyrën dhe tashmë ka miratuar ligjet që nënkuptojnë harmonizimin me rregulloren evropiane të roaming. “Një afat u caktua gjithashtu nga Bashkimi Evropian që deri më 1 janar të kemi përfunduar me negociatat, ajo marrëveshje të nënshkruhet dhe ratifikohet në parlamente. Pres që ky afat të respektohet. Herën e fundit me Moldavinë dhe Ukrainën pati një dritare gjashtëmujore të lejuar për operatorët e telekomunikacionit që të përshtaten. Supozoj se tani do të ketë disa vacatio legis prej disa muajsh për operatorët e telekomunikacionit, por pres që ky proces të përfundojë deri në vitin 2027”, shtoi ministri.
Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer, në Konferencën e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, i bëri thirrje Komisionit Evropian të caktojë verën e vitit 2027 si objektiv, në mënyrë që qytetarët të mund të ndiejnë kostot më të ulëta në faturat e tyre telefonike para verës së ardhshme.
Megjithatë, data nuk është ende përfundimtare. Për t’u bashkuar plotësisht me regjimin evropian, është e nevojshme të finalizohen marrëveshjet me secilin prej vendeve dhe që ato të përafrojnë rregullat e tyre me rregulloret evropiane të roaming. Komisioni Evropian deklaron se, pas përmbushjes së kushteve, qytetarët nga Ballkani Perëndimor do të jenë në gjendje të përdorin thirrje, mesazhe SMS dhe internet celular kur udhëtojnë në BE pa tarifa shtesë roaming, pra në kushte si në shtëpi. Ukraina dhe Moldavia hynë në zonën e roaming-ut të BE-së më 1 janar të këtij viti nëpërmjet të njëjtit proces negociatash.


