S’ka kërkesë zyrtare për amnisti, ndërtimi i objekteve në Idrizovë, ka ngecur

Në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk është dorëzuar kërkesë zyrtare për amnisti apo falje të të burgosurve me qëllim të shkarkimit të burgjeve nga mbingerkasa, e cila u hap si çështje për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe kushteve të tmerrshme.

“Deri më tani, në Ministrinë e Drejtësisë nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare apo iniciativë formale nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve për miratimin e një ligji të ri për amnisti. Ministria e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse, në rast se paraqitet një iniciativë apo kërkesë e tillë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve nuk japin përgjigje nëse do të mbështesin një nismë për amnisti, e cila megjithatë është në kundërshtim me rekomandimet e Avokatit të Popullit i cili zgjidhjen e problemit me mbingarkesën e burgjeve e sheh nëpërmjet zgjerimit të kapaciteteve.

Pikërisht për këtë, Ministria e Transportit ka njoftuar se me mjete evropiane do të zgjerohen kapacitetet në Burgun më të madh të vendit në Idrizovë.

Megjithatë, procedura ka ngelur ende në fazën e tenderimit, pasi njëherë ka dështuar procedura. Plotësisht, sipas dokumentacionit të publikuar në faqen evropiane për tenderime publike, ndërtimi i hapësirave të reja me kapacitet prej 420 shtretër, duhet të zgjatë 72 muaj, prej kur të fillojnë punimet. Projekti parashikon ndërtimin e një objekti të ri për repartin e burrave, një repart të ri paraburgimi dhe objekte të reja për kuzhinë dhe lavanderi.

Megjithatë derisa të zgjerohen kapacitetet, të burgosurit vazhdojnë të vuajnë dënimet në kushte çnjerëzore, të cilat krahas problemit të akomodimit ndikojnë edhe në marrëdhëniet sociale mes tyre. Komisioni Evropian, në raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, kërkon përmirësim urgjent të kushteve të burgimit dhe përdorim më të gjerë të alternativave ndaj burgimit, respektivisht probacionit.

Sipas një analize të publikuar nga Shoqata Maqedonase e Penologjisë në vitin 2023 lidhur me ndikimin e amnistisë, thuhet që përvojat tregojnë që nëse nuk ka risocializim të të burgosurve, shumë shpesh personat e amnistuar rikthehen sërish nëpër burgje dhe kjo nuk është zgjidhje për t’u përballur me mbingarkesën.