Skandal në Argjentinë, gjyqtari kontrolloi në telefon nëse ishte penallti apo jo!?

Në një ndeshje të ligës së dytë argjentinase mes All Boys dhe Godoy Cruz ndodhi një moment i pazakontë, ku gjyqtari, në kundërshtim me rregullat, dyshohet se përdori videon në telefonin e tij për të marrë një vendim.

Ndeshja përfundoi pa gola.
Por në Argjentinë po flitet shumë për këtë skandal, ku protagonist ishte gjyqtari Nicolas Lamolina. Në fund të ndeshjes, nën presionin e lojtarëve të ekipit vendas, ai ndryshoi vendimin për të akorduar penallti për Godoy Cruz, menjëherë pasi situata e diskutueshme iu tregua në një telefon celular.

Pas akordimit të penalltisë, një grup lojtarësh u mblodhën rreth gjyqtarit. Një lojtar i All Boys, së bashku me një zyrtar të klubit, e ndoqi vazhdimisht gjyqtarin dhe i ofroi pamjet e momentit të diskutueshëm në telefonin e tij, si provë se vendimi ishte i gabuar.

Vendasit pretendonin se lojtari i Godoy Cruz ishte rrëzuar jashtë zonës së penalltisë, dhe në këtë pikë kishin të drejtë. Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se ndërhyrja kishte ndodhur brenda zonës dhe akordoi penallti për ekipin mysafir.

Fillimisht, Lamolina nuk i kushtoi vëmendje videos që lojtarët e All Boys i treguan në telefon, pasi përdorimi i saj si provë për të marrë një vendim është në kundërshtim me rregullat. Por më vonë ai ndryshoi mendje dhe e anuloi penalltinë.
Mbetet e paqartë nëse ai e shikoi vërtet videon apo jo. Si arsyetim zyrtar, gjyqtari përmendi korrigjimin e vendimit nga asistenti i tij, i cili fillimisht kishte sinjalizuar ndërhyrjen.

Nga momenti i faullit deri në ekzekutimin e goditjes së lirë kaluan plot 26 minuta.

Godoy Cruz mbeti pa penallti dhe mori vetëm një goditje të lirë.

Pas këtij vendimi, lojtarët nga Mendoza nisën të protestonin. Në fushë hynë edhe disa lojtarë rezervë dhe anëtarë të stafit teknik.

Gjyqtari u detyrua t’u shpjegonte se asistenti i tij e kishte njoftuar që ndërhyrja kishte ndodhur jashtë zonës së penalltisë.

Ky shpjegim dukej pak bindës, pasi, sipas raportimeve, erdhi shumë kohë pasi lojtarët i kishin treguar videot në telefonat celularë.

Mediat argjentinase raportojnë se gjyqtari ka shumë gjasa të ndëshkohet për këtë incident.