Policia e Kosovës konfiskon armë, granata dhe rreth dy mijë fishekë në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme të armëve, municionit dhe mjeteve të tjera ilegale në dy objekte të pabanuara në Komunën e Zubin Potokut, transmeton Anadolu.

Policia nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur për këtë rast qytetarët kanë ofruar informacione të rëndësishme që çuan në zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale.

“Gjatë komunikimit të rregullt me qytetarët, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë veri kanë pranuar informacione se në dy lokacione ne komunën e Zubin Potokut, mund të ketë armë dhe mjete të tjera ilegale. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale, duke kryer kontroll në lokacionet e dyshuar”, njoftoi Policia.

Gjatë kontrollit në lokacioniin e parë, në fshatin Paruce të Zubin Potokut njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt te pabanuar (stallë për ushqimin e bagëtive), ku kanë gjetur dhe konfiskuar: 141 fishekë te armës së gjatë, 21 fishekë të armës se gjatë me krehër, 2 fishekë të pushkës së gjuetisë, 4 granata dore, një tytë e pushkës së gjuetisë, 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, 1 pajisje për mbushjen e fishekëve, 4 kuti me barot, sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, kapsolla dhe tampon për fishekë, 1 gazmaskë ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.

Ndërkaq, në lokacionin e dytë, në fshatin Ranqiq të Zubin Potok, njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt te pabanuar ku kanë gjetur dhe konfiskuar: 1 armë të shkurtër (pistoletë), 4 granata dore dhe rreth 2 mijë copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Lidhur me këto raste, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.

Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur Prokurorit te Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.