Një situatë dramatike është zhvilluar sot në aeroportin e qytetit gjerman të Nurembergut, ku trafiku ajror është ndërprerë përkohësisht për shkak të dyshimeve për një situatë të jashtëzakonshme me një avion pasagjerësh.
Në operacion janë përfshirë edhe avionë luftarakë të tipit “Eurofighter”, të cilët kanë shoqëruar avionin e pasagjerëve të kompanisë “Corendon Airlines”, që po mbërrinte nga ishulli grek i Korfuzit.
Avioni me numër fluturimi XR456 është ulur në mënyrë të sigurt në aeroportin e Nurembergut në orën 12:16.
Për shkak të ndërhyrjes së sigurisë, disa avionë të tjerë janë ridrejtuar drejt aeroporteve të Frankfurtit, Memingenit, Shtutgartit dhe Mynihut.
Sipas mediave gjermane, në operacion kanë marrë pjesë edhe njësi speciale të policisë. Pas kontrolleve të kryera, policia e Frankonisë së Mesme njoftoi se nuk është konstatuar asnjë rrezik.
Megjithatë, ky nuk ishte incidenti i vetëm që kishte penguar funksionimin e aeroportit.
Gjatë natës paraprake, tre pilotë, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, kishin raportuar se kishin vërejtur një objekt të panjohur fluturues, për të cilin dyshohej se ishte dron.
Raportimet ishin bërë në periudhën nga ora 02:00 deri në orën 04:00 të mëngjesit.
Policia kishte nisur kërkimet për objektin e dyshimtë, ndërsa në operacion ishte përfshirë edhe një helikopter policor. Pavarësisht masave të ndërmarra, objekti nuk u gjet dhe deri më tani nuk është konfirmuar nëse bëhej vërtet fjalë për një dron.
Autoritetet gjermane theksojnë se aktualisht nuk ka prova që raportimet gjatë natës për objektin e panjohur të kenë lidhje me ndërhyrjen e mëvonshme rreth avionit të pasagjerëve.
Shkaku i alarmit fillestar të sigurisë ende nuk është sqaruar plotësisht, por autoritetet konfirmojnë se avioni i pasagjerëve është ulur në mënyrë të sigurt dhe se nuk është konstatuar asnjë kërcënim.


