E përditshmja britanike kryqëzon sërish presidentin e FIFA-s, pas një hetimi që ngre dyshime të forta mbi transparencën e pagesave.
Një pagë e dytë, përveç asaj zyrtare, e padeklaruar. Edhe një vilë luksi në bregdetin e Miami-t. Zgjerohen kështu hijet e llogarive të Gianni Infantino-s, presidentit të FIFA-s, pas një hetimi të së përditshmes britanike “The Times”. Gazeta ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën e pagave dhe respektimin e rregullave të organizatës futbollistike botërore.
Sipas “The Times”, në 2024-ën Infantino ka marrë më shumë se 1.6 milionë euro shtesë nga kompania amerikane që kishte të drejtën e organizimit të Botërorit 2026, përveç 4.57 milionë eurove të deklaruara nga FIFA në raportin vjetor. Një shumë, që sipas hetimit, nuk është bërë publike në llogaritë e organizatës.
Burime të cituara nga gazeta bëjnë me dije se pagesa analoge, ndoshta edhe më të mëdha, janë bërë edhe në 2025-ën dhe në 2026-ën. Është një çështje transparence.
Neni 43 i statutit të FIFA-s parashikon se duhet të bëhen publike pagesat individuale për presidentin, anëtarët e këshillit dhe sekretarit të përgjithshëm. Miguel Maduro, ish-president i komitetit drejtues të FIFA-s, flet për një “shkelje të qartë” të rregullave dhe kërkon një hetim të pavarur. “Presidenti duhet të paguhet shumë mirë, por kjo duhet të jetë transparente”, – ka dekalruar ai për “The Times”.
Një pjesë e pagesave shtesë, sipas burimeve të cituara nga gazeta, mund të lidhet me shpenzimet e banimit të Infantino-s në Miami, ku ka pasur në dispozicion një vilë luksi në Sunset Islands. Një zëdhënës ka pohuar se presidenti i FIFA-s ka paguar qira për tre vjet dhe se nuk jeton më në atë vilë.
FIFA nga ana e saj ka pohuar se të ardhurat dhe pagesat administrohen nga nënkomiteti kompetent dhe ato u janë komunikuar autoriteteve amerikane sipas detyrimeve të parashikuara. Megjithatë, FIFA nuk qartëson pse pagesat shtesë nuk deklarohen në raportin vjetor.
Zbulimet e fundit të “The Times” vijnë në një moment, kur Infantino është nën presion pas projektit të dështuar për shitjen e kuotave të Botërorit tek investitorët privatë. Presidenti i FIFA-s ka bërë me dije se do të rikandidojë për këtë post. Afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave është 18 nëntori.


