Miliardat saudite, armët izraelite dhe dhëndri i Trump/ Kush po negocion realisht për Gazën?

Dhëndri i Donald Trump është rikthyer në diplomacinë amerikane si i dërguar për paqen, ndërsa administron një fond investimesh të financuar kryesisht nga Arabia Saudite dhe monarkitë e Gjirit. Hetimet e Kongresit dhe zbulimet e CNN kanë nxjerrë në pah lidhjet financiare të fondit të tij me kompani që furnizojnë ushtrinë izraelite. Por pyetja kryesore është përse Shtëpia e Bardhë nuk e ka vendosur Kushnerin nën të njëjtat rregulla transparence dhe konflikti interesi që zbaton për zyrtarët e tjerë amerikanë…

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, negocion për paqen në Gaza, ndërsa fondi i tij privat ka interesa financiare në një grup izraelit që zotëron aksione në kompani furnizuese të ushtrisë së Izraelit. Dhe për këtë lidhje, e cila ngre pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit, Kongresi amerikan ka nisur një hetim të ri.

Çështjen e ka trajtuar juristja Sarah Leah Whitson në një analizë të botuar në revistën amerikane Foreign Policy, argumenton se problemi nuk qëndron vetëm te bizneset private të Kushnerit, por edhe te boshllëqet e legjislacionit amerikan që lejojnë një negociator të presidentit të mbajë interesa financiare në vendet për të cilat zhvillon negociata.

Më 6 tetor 2026, Robert Garcia, demokrati më i lartë në Komisionin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, nisi një hetim mbi konfliktet e mundshme të interesit të Kushnerit. Hetimi pasoi investigimin që CNN publikoi më 1 tetor, sipas të cilit Affinity Partners, fondi i drejtuar nga dhëndri i Trump, është bërë aksioneri më i madh i Phoenix Financial.

Ky i fundit është një grup financiar izraelit që zotëron aksione në të paktën nëntë kompani furnizuese të ushtrisë izraelite. Pra, njeriu që Donald Trump ka ngarkuar të ndihmojë negociatat për përfundimin e luftës në Gaza, drejton një fond që ka interesa indirekte në sektorin ushtarak të njërës prej palëve të konfliktit.

Kushner ka deklaruar se nuk ka drejtuar investimet e Phoenix Financial në kompanitë e armëve dhe ka kundërshtuar pretendimet se interesat e tij private kanë ndikuar në aktivitetin diplomatik. Deri tani, investigimet publike nuk kanë provuar se ai ka ndërhyrë në negociata për të favorizuar investimet e fondit.

Por Foreign Policy ngre pikërisht pyetjen që administrata Trump nuk e ka sqaruar: kush i kontrollon interesat financiare të Kushnerit ndërsa ai negocion në emër të Shteteve të Bashkuara?

Në fakt, historia e këtyre miliardave nis menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë presidencial të Donald Trump.

Më 21 janar 2021, vetëm një ditë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Kushner themeloi Affinity Partners. Fondi i tij siguroi më pas një investim prej 2 miliardë dollarësh nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite, i kontrolluar nga shteti saudit. Ky investim nuk kaloi pa kundërshtime në Uashington.

Në prill 2022, organizata DAWN kërkoi që Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Kongresi të hetonin marrëdhëniet financiare mes Kushnerit dhe princit saudit Mohammed bin Salman. Arsyeja lidhej me rolin që dhëndri i Trump kishte luajtur gjatë mandatit të parë presidencial.

Kushner kishte qenë një nga mbështetësit kryesorë të princit saudit në administratën amerikane. Ai kishte nxitur miratimin e shitjeve të mëdha të armëve për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa kishte ndihmuar në rehabilitimin e figurës së Mohammed bin Salman pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Pikërisht këtë marrëdhënie politike dhe financiare kërkoi të hetonte në qershor 2022 kongresmenia Carolyn Maloney. Hetimi synonte të përcaktonte nëse Kushner kishte shfrytëzuar pozicionin e tij të mëparshëm në qeveri për të siguruar investimin saudit dhe nëse interesat private kishin ndikuar në vendimet e politikës amerikane.

Në vitin 2024, senatori Ron Wyden nisi një tjetër hetim mbi pagesat që Affinity Partners merrte nga qeveritë e huaja dhe mbi boshllëqet e mundshme në zbatimin e ligjit amerikan për regjistrimin e agjentëve të huaj, FARA.

Sipas të dhënave që Foreign Policy citon nga hetimet e Kongresit, në mars 2024 të paktën 99 për qind e rreth 3 miliardë dollarëve që administronte Affinity Partners vinin nga burime të huaja, kryesisht Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo do të thotë se qeveritë që Kushner kishte mbështetur gjatë ushtrimit të funksionit publik ishin kthyer në financueset kryesore të biznesit të tij privat. Në këmbim të administrimit të investimeve, Affinity Partners merrte dhjetëra milionë dollarë në vit në tarifa këshillimi dhe menaxhimi.

Nuk ka prova publike që këto investime përbënin shpërblim për vendimet e mëparshme politike të Kushnerit. Por lidhja mes funksionit që ai kishte ushtruar dhe burimit të miliardave që mori më pas fondi i tij ishte arsyeja pse Kongresi nisi hetimet.

Dhe këtu del një tjetër problem, të cilin Sarah Leah Whitson e evidenton në analizën e saj për Foreign Policy. Kongresi amerikan hetoi marrëdhëniet financiare të Kushnerit, por nuk ndryshoi ligjet që lejojnë ish-zyrtarët e lartë të bëjnë biznes me qeveri të huaja menjëherë pas largimit nga detyra.

Ligji nuk e ndalonte Kushnerin të merrte investime nga Arabia Saudite. Fondet private përfitonin nga përjashtime të konsiderueshme në detyrimet e transparencës, ndërsa pagesat për këshillim investimesh nuk kërkonin automatikisht regjistrimin sipas FARA-s.

Në këtë mënyrë, Kushner krijoi dhe zgjeroi një biznes të financuar kryesisht nga qeveritë e huaja, përpara se Donald Trump ta rikthente në diplomacinë amerikane.

Në shkurt 2026, presidenti amerikan e emëroi formalisht të dërguar special për paqen.

Por sipas një investigimi të publikuar nga revista The Atlantic në prill, administrata Trump nuk e kishte klasifikuar Kushnerin si punonjës të posaçëm qeveritar, një status që mund ta detyronte t’u nënshtrohej kërkesave të deklarimit financiar dhe kufizimeve për konfliktin e interesit.

Kjo nuk është një çështje e thjeshtë burokratike.

Sipas nenit 202 të titullit 18 të Kodit amerikan, edhe personat që punojnë pa pagesë mund të kualifikohen si punonjës të posaçëm qeveritarë. Ndërsa neni 208 parashikon kufizime për pjesëmarrjen e tyre në çështje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të parashikueshëm mbi interesat financiare personale.

Në analizën e saj, Foreign Policy argumenton se këto dispozita mund të kërkojnë përjashtimin e Kushnerit nga negociata të caktuara që lidhen me Izraelin, Palestinën, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusinë dhe Ukrainën, në varësi të ndikimit që vendimet konkrete mund të kenë mbi interesat e tij.

Organizata Citizens for Responsibility and Ethics in Washington ka kërkuar që Shtëpia e Bardhë ta vendosë Kushnerin nën detyrimet përkatëse të transparencës dhe kontrollit etik. Madje, një tjetër negociator i Donald Trump, Steve Witkoff, megjithëse nuk merr pagë nga Shtëpia e Bardhë, ka paraqitur deklarimin e tij financiar.

Përse Kushner nuk i nënshtrohet të njëjtit kontroll? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur në lojë hyjnë marrëdhëniet me Rusinë.

Sipas një raportimi të The New York Times, të cilit i referohet Foreign Policy, Kushner është përfshirë edhe në diskutimet për një shitje të mundshme, me vlerë miliarda dollarë, të aseteve ruse të naftës tek investitorë me lidhje familjare me të dhe Steve Witkoff.

Edhe në këtë rast, nuk ka prova publike se Kushner ka përdorur autoritetin diplomatik për të favorizuar interesat private. Por vetë ndërthurja e negociatave amerikane me investitorë që kanë lidhje me negociatorët ngre çështjen e transparencës.

Ndërkohë, paradoksi më i madh lidhet me Arabinë Saudite dhe luftën në Gaza. Rijadi e ka kundërshtuar publikisht ofensivën ushtarake izraelite. Por miliardat që fondi sovran saudit ka investuar në Affinity Partners janë pjesë e një strukture financiare që zotëron aksione në Phoenix Financial, grupi izraelit me pjesëmarrje në kompani furnizuese të ushtrisë së Izraelit.

Kjo nuk provon se Arabia Saudite ka financuar drejtpërdrejt armët e përdorura në Gaza. Megjithatë, sipas lidhjeve financiare që zbuloi CNN, kapitali i administruar nga fondi i Kushnerit është ekspozuar indirekt ndaj industrisë ushtarake izraelite.

Dhe kjo ndodh ndërsa Kushner ushtron një rol diplomatik në përpjekjet për t’i dhënë fund të njëjtës luftë. Problemi është se hetimi i ri i Robert Garcias zhvillohet në një Kongres ku republikanët kanë shumicën. Demokratët nuk disponojnë vetë fuqinë e nevojshme për ta detyruar Kushnerin të dorëzojë dokumentet përmes thirrjeve të detyrueshme ligjore.

Sipas Sarah Leah Whitson, Kongresi duhet të kërkojë të paktën shpjegime nga Shtëpia e Bardhë për statusin juridik të Kushnerit, deklarimet e tij financiare, përjashtimet eventuale nga rregullat etike dhe kufizimet që mund të jenë vendosur mbi aktivitetin diplomatik.

Nëse administrata Trump pretendon se ligjet ekzistuese për konfliktin e interesit nuk zbatohen për dhëndrin e presidentit, atëherë duhet të paraqesë argumentet juridike që mbështesin këtë qëndrim. Në fund, çështja nuk kufizohet te miliardat saudite apo investimet në Izrael.

Ajo lidhet me faktin se një person që administron kapital të konsiderueshëm nga qeveritë e huaja ushtron njëkohësisht autoritet diplomatik amerikan në çështje që prekin drejtpërdrejt këto qeveri dhe tregjet ku investon fondi i tij.

Hetimet nuk kanë provuar deri tani se Jared Kushner ka shkelur ligjin apo ka përfituar personalisht nga një vendim i caktuar diplomatik. Por dokumentet e Kongresit, investigimi i CNN dhe analiza e Foreign Policy kanë evidentuar një konflikt të mundshëm interesi që kërkon transparencë dhe kontroll institucional.

Pyetja që mbetet pa përgjigje është përse administrata Trump nuk ka sqaruar publikisht se çfarë rregullash etike zbaton ndaj dhëndrit të presidentit, ndërsa ai negocion për paqen dhe vazhdon të drejtojë fondin e tij privat.