Një fanellë e legjendës së basketbollit, Michael Jordan, e veshur dhe e firmosur prej tij gjatë finaleve të NBA-së në vitin 1998, është shitur për 14 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për një objekt koleksionimi të lidhur me basketbollin.
Shtëpia e ankandeve Hunt Auctions njoftoi të hënën se shitja u realizua përmes një marrëveshjeje private.
Bëhet fjalë për fanellën e kuqe të Chicago Bulls, të cilën Jordan e veshi më 5 qershor 1998, në ndeshjen e dytë të finales kundër Utah Jazz. Në atë përballje, Bulls fituan dhe barazuan serinë finale në 1-1.
Chicago Bulls e fituan serinë me rezultat 4-2, duke siguruar titullin e gjashtë të NBA-së dhe të fundit në karrierën e Jordanit.
Fanellën e bleu Ron Firman, investitor në sektorin e pasurive të paluajtshme në Miami. Ai u shpreh i entuziazmuar për blerjen, duke vlerësuar talentin e Jordanit dhe ndikimin e tij në mbarë botën.
Sipas David Hunt, president i Hunt Auctions, kjo shitje dëshmon se objektet e lidhura me Michael Jordanin po fitojnë gjithnjë e më shumë vlerë në tregun e koleksionistëve, duke u krahasuar me vepra ikonike të artit.
Megjithatë, fanella e Jordanit nuk mban rekordin absolut për një fanellë të përdorur në ndeshje. Ky rekord i takon fanellës së legjendës së bejsbollit Babe Ruth, e cila u shit për 24,12 milionë dollarë në vitin 2024.
Interesi për fanellat e Jordanit nga finalet e vitit 1998 ka qenë i jashtëzakonshëm. Një fanellë e veshur në ndeshjen e parë të finales u shit për rreth 10,1 milionë dollarë në vitin 2022, ndërsa një tjetër, e përdorur në ndeshjen e tretë, arriti çmimin prej rreth 12,3 milionë dollarësh muajin e kaluar.
Fanella e shitur së fundmi ishte blerë fillimisht nga Chicago Bulls prej një koleksionisti privat në vitin 2003. Sipas shtëpisë së ankandeve, deri në shitjen e fundit, ajo kishte pasur vetëm një pronar tjetër.


