Trump shqyrton shkarkimin e ambasadores në Greqi, Kimberly Guilfoyle akuzohet për kërkim parash dhe dhurata luksoze

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas raportimeve për pretendime mbi pranimin e dhuratave luksoze dhe kërkimin e parave në këmbim të ndërmjetësimit për të siguruar akses te zyrtarë të administratës amerikane.

Sipas CNN dhe një burimi tw saj të afërt me çështjen, Trump po ndjek nga afër zhvillimet dhe pritet të vendosë së shpejti nëse Guilfoyle do të vazhdojë të mbajë postin diplomatik. Raportimet kanë shkaktuar shqetësim te disa zyrtarë të administratës amerikane, veçanërisht pasi dolën në publik gjatë vizitës së sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në Athinë, ku ai mbajti një fjalim mbi demokracinë perëndimore në Akropol.

I pyetur nga CNN për akuzat, Trump nuk shprehu mbështetje të qartë për ambasadoren. “Sapo dëgjova për këtë. Për të ardhur keq. Nuk e di”, deklaroi presidenti, duke shtuar se kishte dëgjuar pak për çështjen, por se Guilfoyle kishte qenë gjithmonë e sjellshme.

Në qendër të raportimeve janë pretendimet e Eric Deters, një ish-donator i Trumpit, i cili thotë se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi tekstual 100 mijë dollarë për të shlyer detyrimet e një karte krediti American Express. Sipas tij, kërkesa ishte bërë vetëm pak ditë përpara se ajo të konfirmohej nga Senati për postin e ambasadores. Deters pretendon se nuk i transferoi paratë, pasi nuk kishte fonde të disponueshme në atë moment.

The Wall Street Journal, e cila raportoi fillimisht për mesazhet, citoi avokatin e Guilfoyle-s të deklaronte se ajo kundërshton autenticitetin e tyre. Sipas një burimi të afërt me çështjen, ambasadorja u ka mohuar zyrtarëve të administratës amerikane se i kishte dërguar mesazhet në fjalë. Deri më tani, pretendimet nuk janë provuar dhe autenticiteti i komunikimeve mbetet i kontestuar.

Kimberly Guilfoyle ka lidhje të hershme me familjen Trump. Ajo ishte e fejuar për katër vjet me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit, ndërsa pas përfundimit të marrëdhënies mori emërimin për të përfaqësuar diplomatikisht Shtetet e Bashkuara në Greqi.

Zhvillimet kanë krijuar shqetësim edhe mes disa aleatëve të presidentit dhe të djalit të tij, të cilët i kanë cilësuar ato si të sikletshme për familjen dhe administratën. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse çështja do të sjellë pasoja konkrete për ambasadoren.

Edhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, komentoi akuzat, duke theksuar se nuk dëshiron që njerëzit të gjykohen vetëm nga opinioni publik dhe se faktet duhet të sqarohen përpara se të nxirren përfundime. Në të njëjtën kohë, ai kundërshtoi në parim çdo skemë ku dikush kërkon pagesa në këmbim të aksesit te zyrtarët e qeverisë.

“Sigurisht që nuk më pëlqen kur dikush shet akses te një zyrtar tjetër qeveritar, veçanërisht te një zyrtar i nivelit të lartë”, deklaroi Vance, duke shtuar se, nëse vërtetohet se është bërë diçka e paligjshme ose e gabuar, personat përgjegjës duhet të përballen me pasojat.

Trump ka deklaruar edhe më parë se kundërshton rastet kur persona të afërt me të përfitojnë financiarisht nga kjo marrëdhënie. Tashmë, vëmendja është përqendruar te vendimi që presidenti do të marrë për të ardhmen e Guilfoyle-s, ndërsa akuzat dhe autenticiteti i mesazheve mbeten për t’u sqaruar.