Në kuadër të aksionit ndërkombëtar „TRIGGER X“, të organizuar nga INTERPOL-i, në Maqedoni janë sekuestruar 27 armë, 604 copë municion dhe 10 mjete mino-eksplozive.
Aksioni u zhvillua nga 22 qershori deri më 5 korrik 2026, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Doganave, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme me armë dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Gjatë operacionit u kryen gjithsej 35 bastisje, ndërsa u kontrolluan 548 persona dhe 382 automjete. Autoritetet sekuestruan gjithashtu armë dhe municion për të cilat do të ndërmerren procedura penale, si dhe tri pushkë gjuetie, një pushkë pneumatike dhe 128 fishekë gjuetie për procedurë administrative.
Në kuadër të kontrolleve në pikat kufitare „Tabanoc“ dhe „Mexhitli“, dy persona u privuan nga liria. Gjithashtu, gjatë aktiviteteve paraoperacionale u sekuestruan pistoleta, fishekë dhe tri granata dore.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se aksione të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe parandalimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive.


