Agjentët federalë bastisin banesën e ligjvënëses amerikane Ilhan Omar

Autoritetet federale të zbatimit të ligjit bastisën herët banesën në Washington, DC, të ligjvënëses demokrate amerikane Ilhan Omar, në kuadër të një hetimi lidhur me të dhënat e saj të emigracionit, raportoi rrjeti amerikan Fox News, transmeton Anadolu.

 

Personeli federal zbatoi rreth orës 06:00 sipas orës lokale urdhrin e kontrollit të miratuar nga gjykata, në kuadër të një hetimi penal për mashtrim që lidhet me dokumentet e emigracionit të plotësuara gjatë fëmijërisë së ligjvënëses demokrate, e cila ka lindur në Somali, vend në Bririn e Afrikës.

 

“Hetimet e Sigurisë Kombëtare zbatuan një urdhër kontrolli të autorizuar nga gjykata, të siguruar nga Departamenti i Drejtësisë”, tha një zëdhënës i këtij departamenti për Fox News, duke theksuar se bastisja është pjesë e një hetimi federal në vazhdim.

 

Operacioni u drejtua nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, me përfshirjen e Departamentit të Drejtësisë. As Omar dhe as zyra e saj në Kongres nuk kanë bërë ndonjë deklaratë publike të menjëhershme pas kontrollit të kryer në mëngjes.

 

Aksioni vjen pas deklaratave të Tom Homanit, përgjegjësit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet kufitare, i cili pranoi publikisht në mesin e shtatorit se ndaj ligjvënëses nga Minesota po zhvillohej një hetim penal aktiv.

 

Tensionet mes ligjvënëses Omar dhe presidentit amerikan Donald Trump janë përshkallëzuar për shkak të veprimeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit në nivel rajonal, përfshirë një nismë të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Minesota. Trump i ka lidhur vazhdimisht këto masa me akuzat për mashtrim që përfshijnë komunitetin somalez të shtetit, ndërsa ka vënë në shënjestër prejardhjen dhe shtetësinë e Omar-it.

 

Familja e Omar-it mbërriti në SHBA në vitin 1995, kur ajo ishte adoleshente, pasi kishte siguruar azil.