Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar nisjen e një hetimi penal për të zbuluar identitetin e ushtarakëve dhe zyrtarëve të inteligjencës që dëshmuan në dokumentarin “NAZA”, një film që ka shkaktuar tronditje politike në Izrael, pasi hedh akuza të rënda mbi mënyrën se si ushtria izraelite ka kryer bombardimet në Rripin e Gazës.
Kërkesa u bë publike më 11 tetor, përmes një deklarate zyrtare të Kryeministrisë izraelite, dhe është konfirmuar nga Associated Press, The Times of Israel dhe The Jerusalem Post. 
Në qendër të dokumentarit janë dëshmitë anonime të 24 ushtarëve dhe pjesëtarëve të shërbimeve izraelite të inteligjencës, të cilët përshkruajnë një sistem bombardimesh ku, sipas tyre, vdekja e qindra civilëve mund të konsiderohej e pranueshme për eliminimin e një objektivi ushtarak.
Filmi ngre gjithashtu akuza për përdorimin e inteligjencës artificiale në identifikimin e objektivave, mbikëqyrjen masive të popullsisë palestineze dhe operacione ushtarake të zhvilluara me dijeninë se mund të shkaktonin një numër të madh viktimash civile.
Në një letër drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, drejtuesit të shërbimit të sigurisë Shin Bet, David Zini, dhe Prokurores së Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, Netanyahu kërkon identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në dokumentar dhe ndjekjen e tyre penale.
Ai i akuzon për shkelje të rënda të sigurisë së informacionit, shpifje penale dhe dëmtim të interesave diplomatike e të sigurisë së Izraelit.
Sipas kryeministrit izraelit, dokumentari paraqet një histori të pavërtetë, çorientuese dhe të njëanshme, e cila diskrediton shtetin e Izraelit dhe ushtrinë e tij në arenën ndërkombëtare. 
Nga triumfi në Venecia te kërcënimet për tradhti
Dokumentari “NAZA”, i realizuar nga regjisorët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor dhe i prodhuar nga gazeta britanike The Guardian, fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ku u prit me rreth 25 minuta duartrokitje.
Titulli i filmit vjen nga një shkurtim ushtarak hebraik që nënkupton dëmin kolateral, term që përdoret për viktimat civile të parashikuara gjatë një sulmi.
Pas premierës, dy regjisorët u përballën me akuza për tradhti dhe kërcënime. Netanyahu ka mbështetur më parë edhe idenë e heqjes së shtetësisë izraelite për autorët e filmit. 
Ushtria izraelite i ka hedhur poshtë akuzat e dokumentarit, duke deklaruar se vendimet për përzgjedhjen dhe miratimin e objektivave merren nga personeli ushtarak dhe jo automatikisht nga sistemet e inteligjencës artificiale. Ajo mohon gjithashtu se ka autorizuar sulme duke pranuar paraprakisht vdekjen e qindra civilëve.
Nga ana tjetër, The Guardian ka mbrojtur dokumentarin, duke deklaruar se investigimi mbështetet në më shumë se 100 burime, dokumente të klasifikuara dhe verifikime të pavarura të operacioneve ushtarake.
Përplasja ka marrë edhe një dimension politik. Qeveria izraelite ka promovuar një dokumentar tjetër, të titulluar “NAZA: The Real Story”, i cili synon të kundërshtojë dëshmitë dhe përfundimet e filmit origjinal. 
Kërkesa e Netanyahut për hetim penal vjen ndërsa dokumentari po shfaqet ndërkombëtarisht dhe vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare izraelite të 27 tetorit.
Ende nuk është njoftuar një vendim përfundimtar për nisjen e procedimeve penale ndaj dëshmitarëve. 


