Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kritikave të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Çitaku tha se është normale që Kosova të ketë mospajtime të herëpashershme edhe me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“Është normale ndonjëherë me miqtë të mos kemi pajtime”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës t’ia sqarojnë Bashkimit Evropian qëllimin e ndryshimeve ligjore.
Në deklaratën e dhënë para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, të cilën e transmetoi Radio Evropa e Lirë, Kos i cilësoi ndryshimet ligjore si të papranueshme.
Ajo theksoi se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.


