Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka publikuar shpallje publike për angazhimin e 16 praktikantësh, të cilët do të kenë mundësi të fitojnë përvojë pune në këtë institucion. Për praktikantët është paraparë një kompensim mujor me para, ndërsa afati i aplikimit është deri më 15 tetor.
Në këtë shpallje mund të aplikojnë studentë të studimeve baçelor dhe master, deri në 30 vjeç, të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe janë të papunë. Kandidatët duhet të njohin gjuhën angleze së paku në nivelin B1, ndërsa njohja e një gjuhe të dytë të huaj do të konsiderohet si përparësi.
Mundësi aplikimi kanë studentët nga disa fusha, përfshirë shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësinë, ekonominë, menaxhimin, informatikën, telekomunikacionin dhe sigurinë kibernetike.
Praktikantët do të punojnë nga katër orë në ditë, nga e hëna në të premte, gjegjësisht gjithsej 20 orë në javë. Qëllimi është që të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në fushën e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës, ekonomisë dhe punës administrative.
Për të aplikuar nevojiten një biografi e shkurtër (CV), vërtetim se jeni student i rregullt, dëshmi për njohjen e gjuhës angleze dhe fleta e aplikimit. Dokumentet mund të dërgohen në rrugë elektronike në adresën [email protected], të dorëzohen në arkivin e Ministrisë ose përmes postës.
Pas përfundimit të afatit do të bëhet përzgjedhja, ndërsa me kandidatët e zgjedhur do të lidhen kontrata për punë praktike.


