Për Serbinë nuk do të ketë një udhërrëfyes orientues në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian do të publikojë në fund të tetorit udhërrëfyesit për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, si vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit.
Kjo konfirmon edhe zyrtarisht se Serbia e ka humbur pozitën që dikur e kishte si një nga vendet prijëse në procesin e integrimit evropian.
“Serbia do të duhet të përmbushë më shumë kushte. Pas zgjedhjeve, do të shohim se sa serioze është Qeveria e saj, nëse vetëm do të flasë për dëshirën për t’u bërë anëtare e BE-së, apo edhe do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim”, tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Për Strahinja Subotiçin, nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane me seli në Beograd, fakti që Serbia nuk do të marrë një udhërrëfyes përbën një paralajmërim serioz dhe dëshmi se ky vend po ngec në procesin e integrimit evropian.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky bllokim nuk pasqyrohet më vetëm në faktin që Serbia, prej vitesh, nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit dhe nuk ka mundësi të përfitojë nga fondet në kuadër të Planit të Rritjes.
“Tani, në thelb, po na dërgohet mesazhi se mund të humbasim edhe përfitime të shumta që lidhen me anëtarësimin gradual në BE”, thotë ai.
Udhërrëfyesit do të jenë pjesë e paketës së zgjerimit, të cilën Komisioni Evropian planifikon ta miratojë më 28 tetor. Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit në BE që nga dhjetori i vitit 2021.
Ndërkohë, është përkeqësuar edhe gjendja në fushën e sundimit të ligjit, duke i vështirësuar më tej përpjekjet e Serbisë për të dalë nga ngecja disavjeçare në procesin e integrimit evropian.
Sipas ekspertëve, me këtë qasje, Serbia rrezikon të mbetet aty ku është, përkatësisht në fund të radhës së vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.


