Partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka kritikuar rebalansin e buxhetit që është në proces, duke e akuzuar pushtetin për menaxhim të papërgjegjshëm të parave publike.
Sipas partisë, të hyrat dhe shpenzimet buxhetore po ulen për rreth 86 milionë euro, ndërsa deficiti mbetet 4,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. LSDM-ja thotë se investimet kapitale shkurtohen për rreth 93 milionë euro për shkak të vonesave në realizimin e projekteve.
Nga partia vlerësojnë se ky është rebalansi i dytë i buxhetit brenda katër muajve dhe se mund të pasojë edhe një i tretë. Ata kundërshtojnë arsyetimin se ndryshimet lidhen me krizën dhe uljen e të ardhurave nga taksat për karburantet, duke pretenduar se problemet kanë nisur më herët.
LSDM paralajmëron për huamarrje të reja, përfshirë një obligacion qytetar deri në fund të vitit dhe një euroobligacion vitin e ardhshëm me interes mbi 6 për qind. Sipas partisë, qytetarët do ta paguajnë barrën e borxheve, ndërsa rritja e çmimeve dhe kostot e jetesës vazhdojnë të rëndojnë familjet.


