Avi Gil, ish-sekretari ushtarak i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Zyrën e Kryeministrit për falsifikimin e të dhënave lidhur me ngjarjet e 7 tetorit të vitit 2023, përfshirë ndryshimin e orës së regjistruar të një telefonate të rëndësishme, transmeton Anadolu.
“Do të jap gjithçka që di, do të paraqes përshtypjet e mia dhe do t’i lë ata ta kuptojnë realitetin”, tha Gil në një intervistë të transmetuar në Channel 12 dhe të raportuar nga portali Ynet i gazetës Yedioth Ahronoth.
“Javët e fundit më kanë çuar në një drejtim tjetër dhe më kanë bërë të kuptoj se duhet të dal dhe ta them të vërtetën”, tha Gil.
Gil, 54-vjeç, i cili shërbeu si sekretar ushtarak i Netanyahut nga korriku i vitit 2021 deri në maj të vitit 2024, tha për Channel 12 se në janar të vitit 2024 një stenografe në Zyrën e Kryeministrit iu drejtua atij dhe i tha se shefi i kabinetit të Netanyahut e kishte udhëzuar të ndryshonte orën e regjistruar të një telefonate 4-minutëshe, nga ora 06:40 në 06:29.
“Ajo më tha: ‘Nuk më lejohet ta ndryshoj. Kompjuteri e tregon dhe thotë se telefonata ka qenë nga ora 06:40 deri në 06:44’ ”, tha Gil, duke akuzuar shefin e Zyrës së Netanyahut për manipulimin e regjistrave telefonik.
“Këto janë fakte dhe nuk ka asnjë kontestim për to”, shtoi ai.
Gil tha se menjëherë e dokumentoi dëshminë e stenografes në një shënim të shkruar me dorë, të cilin ia drejtoi prokurorit të përgjithshëm. Ai rekomandoi që çdo komision i ardhshëm hetimor të sigurojë regjistrimet origjinale, në vend që të mbështetet vetëm te transkriptet.
“Kjo do të thotë të ndryshosh një transkript, të ndryshosh të vërtetën. Faktikisht, ka pasur një udhëzim për të ndryshuar orën e një telefonate”, tha ai.
Gil tha gjithashtu se zyrtarët izraelitë të sigurisë kishin rekomanduar vazhdimisht operacione ushtarake të shënjestruara në Rripin e Gazës përpara 7 tetorit, por udhëheqja politike i kishte refuzuar këto propozime.
“Herë pas here ka pasur rekomandime për të kryer operacione të shënjestruara në Gaza. Këto rekomandime nuk janë pranuar”, tha ai.
Gil konfirmoi gjithashtu një raportim të mëparshëm, sipas të cilit shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Izraelit (Shin Bet), Ronen Bar, e kishte paralajmëruar Netanyahun në korrik të vitit 2023 se Izraeli përballej me rrezikun e një lufte.
Sipas paralajmërimit të raportuar më herët nga Yedioth Ahronoth, Bar i kishte thënë Netanyahut: “Sot po ju paralajmëroj për një luftë. Nuk mund t’ju jap një ditë dhe orë të saktë, por ky është paralajmërimi”.
Gil theksoi se paralajmërimi nuk kishte të bënte posaçërisht me një sulm të afërt nga Gaza.
“A kishte një paralajmërim specifik dhe të përqendruar për Gazën? Absolutisht jo”, tha ai.
Gil gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se informacionet e inteligjencës të disponueshme gjatë natës para sulmit duhej ta kishin detyruar Netanyahun të zgjohej menjëherë. Ai tha se informacionet e përshkruanin vazhdimisht situatën si “rutinë” dhe nuk tregonin se ekzistonte një urgjencë e menjëhershme.
Ai tha gjithashtu se nuk mund të konfirmonte raportimet se Netanyahu kishte marrë paralajmërime nga Egjipti ose Emiratet e Bashkuara Arabe përpara 7 tetorit, duke theksuar se nuk ndodhej në zyrë në datat që lidhen me kontaktin e raportuar nga Emiratet.
Netanyahu i mohoi akuzat e ish-sekretarit të tij ushtarak dhe e fajësoi Gilin për dështimet që lidhen me ngjarjet e 7 tetorit.
Përplasja vjen në një kohë kur fushata zgjedhore po intensifikohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të planifikuara për 27 tetor.
Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 palestinezëve që nga tetori i vitit 2023, ndërsa mbi 175.000 të tjerë janë plagosur. Izraeli ka shkatërruar gjithashtu 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarresti për Netanyahun në nëntor të vitit 2024, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.


