Kurti takon komisionetin e OSBE-së,Christophe Kamp: Kosova ngre shqetësimin për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Gjatë takimit me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, u diskutua për të drejtat e komuniteteve, barazinë para ligjit dhe diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shkruan Top24

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës zhvilluan një takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, ku në fokus ishin të drejtat e komuniteteve joshumicë, përdorimi i gjuhëve dhe qasja në arsim e shërbime publike.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore, ndërsa u theksua se barazia para ligjit është një nga themelet e Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, u nënvizua se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë dhe se këto garanci duhet të zbatohen plotësisht në jetën institucionale dhe shoqërore. Sipas qëndrimit të shprehur në takim, mbrojtja e të drejtave dhe respektimi i detyrimeve ligjore janë parime që plotësojnë njëra-tjetrën.

Një ndër çështjet kryesore të ngritura ishte edhe diskriminimi sistematik i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë. Shqetësimet lidhen me pasivizimin e adresave, pengesat në arsim dhe nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike.

Në takim u kërkua angazhim i drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete e këtyre çështjeve, me theksin se Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe ato civile.

Në përfundim, u shpreh gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, duke theksuar se të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit duhet të ecin paralelisht dhe të zbatohen pa dallim.