ASH: Dhuna policore duhet të hetohet deri në fund, VLEN nuk mund të heshtë

Aleanca për Shqiptarët kërkon zbardhje të menjëhershme dhe të plotë të rastit ku dy të rinj, 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë keqtrajtuar fizikisht nga pjesëtarë të policisë dhe se automjeti i tyre është dëmtuar.

Fakti që vetë Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur kontroll të brendshëm tregon se pretendimet janë serioze dhe kërkojnë hetim të shpejtë, transparent dhe pa asnjë tentativë për ta relativizuar rastin.

Policia duhet të jetë garanci për sigurinë e çdo qytetari dhe jo burim frike. Çdo tejkalim i kompetencave, përdorim i paarsyeshëm i forcës apo keqtrajtim duhet të marrë përgjigjen e duhur institucionale dhe ligjore.

Në këtë situatë, heshtja e VLEN-it dhe e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Astrit Iseni është e papranueshme. Kur je pjesë e udhëheqjes së MPB-së, përgjegjësia nuk përfundon te deklaratat politike. Kërkohet veprim, transparencë dhe përgjegjësi.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që hetimi të përfundojë pa vonesa, të bëhen publike rezultatet dhe, nëse vërtetohet keqpërdorimi i detyrës apo dhuna ndaj të rinjve, përgjegjësit të sanksionohen pa përjashtim.

Askush me uniformë nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush në pushtet nuk mund të fshihet pas heshtjes.