Kaltrina Zekolli Shaqiri : Korridori VIII, lidhje strategjike për zhvillimin e rajonit

Korridori VIII përbën një nga projektet strategjike për Maqedoninë e Veriut, pasi lidh vendin me Bullgarinë dhe Shqipërinë dhe krijon një korridor të rëndësishëm Lindje-Perëndim, nga Deti i Zi deri në Adriatik, thekson VLEN.

Në këtë kuadër, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve nga radhët e VLEN-it, Kaltrina Zekolli Shaqiri, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII, e cila u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

Konferenca mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet e rajonit, institucionet evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë, me fokus në zhvillimin e infrastrukturës, lidhshmërinë ndërkufitare, investimet, energjinë dhe integrimin ekonomik, përcjell Zhurnal.mk.

Sipas VLEN-it, për Maqedoninë e Veriut përfundimi dhe modernizimi i infrastrukturës përgjatë Korridorit VIII nënkupton lidhje më të mira rrugore dhe hekurudhore, qarkullim më efikas të njerëzve dhe mallrave, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime.

“VLEN angazhohet që projektet infrastrukturore strategjike të vendit të avancohen sipas standardeve moderne dhe në koordinim me partnerët rajonalë dhe evropianë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Nga VLEN vlerësojnë se Korridori VIII e vendos Maqedoninë e Veriut në një pozitë të rëndësishme në rrjetin e lidhjeve evropiane dhe krijon mundësi të reja për ekonominë, bizneset dhe qytetarët.

Korridori VIII parashikon lidhjen infrastrukturore të Adriatikut me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke synuar forcimin e lidhjeve rajonale dhe integrimin e tyre në rrjetet evropiane të transportit.