“Mendoj se po shfaqen edhe tendenca te një pjesë e makinerisë politike që e gjithë kjo të shfrytëzohet si një lloj PR-i pozitiv, sepse e dimë që në BDI jo të gjithë e duan shumë Grubin”, thotë Isen Saliu, redaktor i portalit “Lideri.mk”.
Shtëpi, prona dhe para po ofrohen si garanci nga qytetarët vetëm që Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministrit dhe të akuzuarit në rastin “Lotaria Shtetërore”, t’i rikthehet pasaporta.
A bëhet fjalë për mbështetje të sinqertë apo presion ndaj drejtësisë?
Pyetja që shtrohet është nëse bëhet fjalë për mbështetje të sinqertë dhe gatishmëri për të vendosur pasurinë personale si garanci për “shpëtimin” e një politikani, për presion ndaj drejtësisë apo përpjekje që nga Artan Grubi të krijohet një fenomen i viktimës.
Redaktori i portalit “Lideri.mk”, Isen Saliu, në një deklaratë për “Sloboden Peçat”, hap edhe një tjetër aspekt lidhur me ofertat e mbështetësve të të akuzuarit. Sipas tij, pronat dhe shtëpitë që ofrohen mund të jenë edhe një mënyrë për t’u “kujtuar” funksionarëve të BDI-së që edhe ata të vendosin pasurinë e tyre si garanci në të mirë të bashkëpartiakut. Nga VLEN-i, ndërkaq, thonë se nuk kanë dilema se makineria partiake është vënë në mbrojtje të Grubit.
Postime në rrjetet sociale, nga Çairi deri në Veles
Një person me emrin Muhamet Ameti, përmes rrjeteve sociale, deklaroi se është i gatshëm ta vendosë shtëpinë e tij si garanci për Grubin, por njëkohësisht kritikoi edhe VLEN-in.
“Asgjë tjetër nuk vlen përveç garancisë për pasaportën e Artanit. Edhe shtëpinë time do t’ia garantoj Artanit! Mjaft më me shfaqje dhe populizëm. Populli e di kush punon dhe kush vetëm flet”, shkroi Ameti.
Sheval Baftiu nga Çairi i Shkupit publikoi se është i gatshëm të vërë në dispozicion gjithçka që ka ndërtuar me punën e tij.
“Çfarëdo që kam ndërtuar me punën time, pasurinë, pronën dhe gjithçka tjetër që kam, jam i gatshëm t’ia vë në dispozicion Artan Grubit, sepse ky është besimi im personal. Nuk e them këtë për një postim, fotografi apo interes. E them sepse besoj se një njeri nuk duhet të braktiset vetëm sepse ndaj tij ngrihen akuza dhe ushtrohet presion. Artan Grubi nuk është vetëm, pas tij qëndron një ushtri njerëzish që nuk e kanë harruar punën dhe kontributin e tij”, shkroi Baftiu.
Blero Arifi nga Velesi publikoi se është i gatshëm t’i vërë në dispozicion të gjitha mjetet e tij si garanci për lirimin e Grubit.
“Jam i gatshëm të lë peng gjithçka që kam – pasurinë time dhe, me pëlqimin e familjes, edhe pasurinë e tyre, për lirimin e Artan Grubit”, shkroi Arifi.
Ai shtoi se beson në pafajësinë e Grubit dhe se ndaj tij po zhvillohet një përndjekje politike.
“Kur beson në drejtësi, nuk mjafton vetëm të flasësh. Duhet të jesh i gatshëm të qëndrosh pas qëndrimit tënd, edhe kur kjo të kushton”, përfundoi ai.
Tetovari Aslan Koka shkroi se është i gatshëm ta japë shtëpinë e tij si garanci për pasaportën e Grubit.
“Edhe prona ime e paluajtshme është në dispozicion të Artan Grubit, që të vendoset si garanci për t’ia kthyer pasaportën”, shkroi Koka.
Nxitje për bashkëpartiakët
Redaktori Saliu vlerëson se garancitë që po ofrohen për Grubin fillimisht ishin shprehje e sinqertë solidariteti nga disa anëtarë dhe simpatizantë të BDI-së.
“Ata kishin ndjesinë se ai ishte lënë në baltë, para së gjithash nga partia e tij, për të cilën mendojnë se ai ka dhënë shumë në të kaluarën, ndërsa tani, kur ka nevojë për mbështetje, nuk po e gjen atë te bashkëpartiakët e tij. Por pasi kjo dukuri filloi të shndërrohej në një ‘fenomen’, mendoj se shfaqen edhe tendenca te një pjesë e makinerisë politike që nga kjo të bëhet edhe një lloj PR-i pozitiv. E them, te një pjesë e makinerisë politike, sepse e dimë se në BDI jo të gjithë e duan shumë Grubin”, thotë Saliu.
Sipas tij, gatishmëria për të vendosur të gjithë pasurinë si garanci në mbështetje të Grubit është më shumë një akt simbolik, pasi nuk dihet nëse këta persona do ta bënin realisht këtë nëse do të paraqitej nevoja.
“Por, sigurisht, kjo përbën edhe një nxitje për bashkëpartiakët e Grubit, të cilët kanë shumë më tepër prona dhe pasuri se qytetarët që janë të gatshëm të ‘sakrifikohen’ për të. Këto iniciativa të qytetarëve nxjerrin në pah edhe një fenomen tjetër të këtij rajoni, që është shprehja e solidaritetit të një pjese të opinionit publik ndaj figurave politike që përballen me procese gjyqësore, edhe kur këta politikanë nuk kanë qenë aq të popullarizuar në të kaluarën”, përfundon Saliu.
VLEN: Aktivistë të BDI-së po mbrojnë “shpëtimtarin e Mijallkovit”
Nga VLEN-i pyesin se kujt i përket pasuria që ofrohet si garanci dhe si është krijuar ajo.
“Edhe fëmijët, edhe të rriturit e dinë se sa vite punë dhe sakrificë duhen për të ndërtuar një shtëpi. Ndërsa për problemin e Grubit, qindra mijëra euro hidhen menjëherë në tavolinë?! Pyetja kryesore është pse, kur problem ishte qytetari, nuk kishte as para, as zgjidhje dhe as përgjegjësi.
Gjatë qeverisjes së BDI-së, më shumë se 350 mijë shqiptarë u larguan jashtë vendit. Ndërsa shqiptarët largoheshin për të siguruar ekzistencën dhe një jetë më të mirë, funksionarët e BDI-së ndërtonin prona, ndërsa sot aktivistët e tyre dalin për të mbrojtur ‘shpëtimtarin e Mijallkovit’, njeriun që është në listën e zezë amerikane dhe personin që e mbolli bixhozin në çdo vendbanim shqiptar.
Ky është dallimi mes problemeve të qytetarëve dhe problemeve të BDI-së. BDI-ja e kishte pushtetin, ndërsa shqiptarëve ua la mërgimin ose 335 mijë eurot për hallin e Grubit, ndërkohë që më shumë se 350 mijë shqiptarë e braktisën vendin”, reagojnë nga VLEN.
Arresti shtëpiak i Grubit përfundon më 13 tetor. Ai ka kërkuar kthimin e pasaportës, duke ofruar garanci në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh



