Shpresoj të dëgjoj një dëshirë për përparim. Me këtë mesazh ministrja e Jashtme bullgare Velislava Petrova-Çamova ka paralajmëruar takimin e sotëm me ministrin e jashtëm maqedonas Timço Mucunski në Sofje.
Takimi do të mbahet në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare Ministrore kushtuar zhvillimit dhe rëndësisë strategjike të Korridorit Pan-Evropian 8. Petrova-Çamova tha se takimi u iniciua nga pala maqedonase dhe se ajo pret që në të të diskutohet integrimi evropian i Maqedonisë.
“Ky takim u kërkua nga ata dhe unë, natyrisht, pranova. Do të isha e lumtur të mësoja për temat që ata duan të diskutojnë. Supozoj se do të jetë integrimi evropian. Ne kemi një qëndrim shumë të qartë për këtë. Shpresoj se do të dëgjoj një dëshirë për përparim nga ana e tyre”, tha Petrova-Çamova, njofton AIM.
Ndërkohë, në Sofje ka filluar Konferenca Ministrore për Korridorin 8, në të cilën merr pjesë edhe Mucunski.
Ai do të flasë në panelin “Konteksti Gjeostrategjik i Korridorit 8”, kushtuar rëndësisë strategjike të korridorit në kushtet aktuale gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomike.


