BDI: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon precedent të rrezikshëm për gjuhën shqipe

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me publikimin e një rregulloreje vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar atë si një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për gjuhën shqipe dhe për sigurinë juridike në vend.

Sipas BDI-së, në vend që të shqyrtonte publikimin e rregullores vetëm në gjuhën maqedonase në dritën e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për publikimin e akteve edhe në gjuhën shqipe, Gjykata e trajtoi çështjen përmes aspektit material të aktit.

Partia thekson se pikërisht te kjo qasje qëndron problemi, pasi kontrolli i kushtetutshmërisë nuk duhet të kufizohet vetëm te përmbajtja e një akti, por duhet të përfshijë edhe procedurën, formën dhe respektimin e rregullave kushtetuese për mënyrën se si ai krijohet dhe hyn në fuqi.

“Kushtetutshmëria nuk është vetëm përmbajtje. Është edhe procedurë, formë dhe respektim i rregullave kushtetuese për mënyrën se si krijohet dhe hyn në fuqi një akt”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Duke iu referuar praktikës së mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, BDI pretendon se vetë ky institucion ka vlerësuar çështje të kësaj natyre. Për këtë arsye, partia e konsideron vendimin e djeshëm si një veprim në kundërshtim me praktikën e vetë Gjykatës, duke e akuzuar atë për shkelje të normave.

“Vetë Gjykata Kushtetuese, në praktikën e saj, ka vlerësuar çështje të tilla, ndërsa dje u ngrit kundër vetes, duke shkelur çdo normë”, thekson BDI.

Në reagim ngrihet edhe pyetja se çfarë vlere kanë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve, nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk trajtohet më si një çështje që mund t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë formale.

“Nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk është më çështje që mund të shqyrtohet si kushtetutshmëri dhe ligjshmëri formale, atëherë çfarë vlere kanë vetë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve?”, pyet BDI.

Sipas partisë, kjo dilemë nuk lidhet vetëm me një rregullore të veçantë. Ajo prek statusin e gjuhës shqipe, funksionimin e rendit juridik dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.

BDI shpreh shqetësimin se qasja e ndjekur në këtë rast mund të shërbejë si standard edhe për akte të tjera në të ardhmen. Në këtë drejtim, partia kërkon të dihet se çfarë e garanton respektimin e detyrimit për publikimin edhe në gjuhën shqipe, nëse mungesa e tij nuk konsiderohet relevante për kontrollin kushtetues.

“Sepse nëse një akt mund të publikohet vetëm në maqedonisht dhe kjo të mos ketë relevancë për kontrollin kushtetues, çfarë e garanton që nesër i njëjti standard të mos zbatohet edhe për akte të tjera?”, thuhet në reagim.

Partia rikujton se gjuha shqipe është pjesë e rendit kushtetues dhe se statusi i saj nuk mund të trajtohet si një element thjesht simbolik.

“Gjuha shqipe nuk është dekor kushtetues. Është pjesë e rendit kushtetues”, thekson BDI, duke kërkuar që ajo që ndodhi në seancën e djeshme të mos normalizohet dhe as të relativizohet.

Në përfundim të reagimit, BDI nënvizon se debati tejkalon çështjen e publikimit të një rregulloreje dhe lidhet me zbatimin e barabartë të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe me garantimin e sigurisë juridike për të gjithë qytetarët.

“Nuk është vetëm çështje e një rregulloreje. Është çështje se a vlejnë njësoj Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike për të gjithë. Dhe për këtë arsye, kjo çështje nuk përfundon me vendimin e djeshëm”, përfundon reagimi i BDI-së.