Fitoi çdo trofe të mundshëm, ikona e Barcelonës tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur

Pedro Rodríguez ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist, duke i dhënë fund një karriere të gjatë dhe të pasur me trofe në nivelet më të larta të këtij sporti.

“Ndjej se ka ardhur koha. Koha për të bërë një hap përpara dhe për të nisur një fazë të re në jetën time”, shkroi 37-vjeçari.

“Largohem krenar që e kam jetuar ëndrrën time dhe për të gjithë njerëzit që ishin pranë meje për ta bërë atë realitet”, u shpreh ai.

Në fund, Pedro i kushtoi një falënderim të veçantë vetë futbollit për emocionet dhe momentet që i dhuroi gjatë viteve.

“Faleminderit, futboll, që më bëre kaq të lumtur”, shtoi spanjolli.

Një karrierë e mbushur me trofe
Pedro e nisi karrierën e seniorëve te Barcelona, ku shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola. Me klubin katalanas ai fitoi një sërë trofesh kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke qenë pjesë e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e Barcelonës.

Në vitin 2015, sulmuesi u transferua te Chelsea, ku vazhdoi të luante në nivele të larta dhe fitoi trofe të rëndësishëm edhe në futbollin anglez.

Më pas, Pedro vijoi karrierën në Itali, ku veshi fanellat e Romës dhe Lazios.

Edhe me Kombëtaren e Spanjës, Pedro pati një rol të rëndësishëm në një nga gjeneratat më të suksesshme të futbollit spanjoll. Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, ndërsa dy vite më vonë u shpall edhe kampion i Evropës në Euro 2012.