Mustafa për UÇK-në: Historia e saj mbetet dëshmi e guximit, pastërtisë dhe besimit në lirinë e Kosovës

Rustem Mustafa, i njohur si “Remi”, ka vlerësuar trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke veçuar guximin dhe vendosmërinë e luftëtarëve që u angazhuan për lirinë e vendit.

Në një shkrim kushtuar UÇK-së, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka thënë se organizata arriti të ruante, sipas tij, pastërtinë morale dhe organizative, duke u mbrojtur nga infiltrimi armiqësor në procesin e vendimmarrjes.

“UÇK-ja arriti të ruante pastërtinë e saj morale dhe organizative, duke u mbrojtur me kujdes nga çdo infiltrim armiqësor në procesin e vendimmarrjes”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka përmendur edhe vlerësimet e analistëve ndërkombëtarë për UÇK-në, të cilët, sipas tij, e kanë cilësuar atë si një nga formacionet kryengritëse më të suksesshme në historinë moderne.

Mustafa ka theksuar gjithashtu besimin e udhëheqësve të UÇK-së në fitoren dhe lirinë e Kosovës.

Një vend të veçantë në shkrimin e tij ai i ka kushtuar komandantit Zahir Pajaziti, figurë e rëndësishme e organizimit të hershëm të UÇK-së, i cili ra më 31 janar 1997.

“Komandanti Zahir Pajaziti qëndron si shembull i heroit që mposhti frikën për t’i dhënë guxim një kombi të tërë”, ka shkruar Remi.