Një hap historik po ndodh në Hungari. Budapesti së shpejti do të fillojë publikimin e dhjetëra mijëra dosjeve të epokës komuniste në një bazë të dhënash publike online, duke u dhënë njerëzve qasje në listat e informatorëve dhe bashkëpunëtorëve të përdorur nga ish-shërbimet e sigurimit të shtetit.
Ky publikim, i planifikuar për të përkuar me 70-vjetorin e kryengritjes anti-sovjetike të Hungarisë në vitin 1956, është pjesë e zotimit të Kryeministrit Peter Magyar për t’i bërë publike dokumentet – të ruajtura në një arkiv të gjerë në bodrumet e Budapestit – dhe për t’u mundësuar hungarezëve të përballen me të kaluarën e tyre totalitare.
Megjithëse sundimi komunist përfundoi në vitin 1989, Hungaria e vonoi hapjen e plotë të dosjeve për shkak të mungesës së vullnetit të fortë politik nga qeveritë e njëpasnjëshme.
“Asnjë masë kaq radikale lidhur me bërjen publike të informacioneve apo me legjislacionin e këtij lloji nuk u ndërmor në asnjë institucion partner apo shtet anëtar të dikurshëm të Traktatit të Varshavës. Edhe unë e konsideroj këtë një hap historik; në thelb, ai i bën të qasshme për të gjithë dokumentet e ruajtura të rrjeteve të dikurshme”, tha Bendeguz Gergo Cseh, drejtor i Arkivit të Sigurimit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, agjencitë e policisë sekrete në Evropën Lindore- si Stasi i Gjermanisë Lindore apo shërbimet e sigurisë së Hungarisë- mbështeteshin te bashkëpunëtorë të rekrutuar nga popullata, shpesh përmes shantazhit, kërcënimeve ose shpërblimeve. Midis viteve 1956 dhe 1989, në Hungari u regjistruan rreth 55,000 bashkëpunëtorë sekretë. Ata survejonin miq, familjarë, fqinjë dhe kolegë pune për të zbuluar shenja të disidencës dhe ndikimit perëndimor; raportet e tyre shpesh çonin në arrestime dhe marrje në pyetje.
Shumë apartamente në qendër të Budapestit – të njohura si “apartamente K” ose apartamente konspirative – shërbenin si vende takimi midis zyrtarëve të policisë sekrete dhe bashkëpunëtorëve civilë. Në vitet 1980, informatorët merrnin pjesë në koncerte të skenës “underground” të muzikës rock në Budapest, të cilat tërhiqnin turma të rinjsh dhe shiheshin nga autoritetet si potencialisht subversive.
“Si arkivist dhe historian, besoj se dhënia e gjykimeve bazuar në këto informacione është e papërshtatshme; megjithatë, mendoj se është e mundur të fitojmë njohuri mbi historitë e jetës dhe të përballemi më thellësisht me të kaluarën tonë — jo vetëm në nivel individual, por edhe në atë shoqëror”, tha Bendeguz Gergo Cseh.
Arkivi Historik i Sigurimit Shtetëror Hungarez (ABTL) administron dokumentet e ish-shërbimeve të sigurimit shtetëror; dosjet përmbajnë emrat e 50,000 deri në 60,000 bashkëpunëtorëve. (A2 Televizion)


