Dy seritë e vaksinës BCG kundër tuberkulozit, për të cilat dyshohet se kanë shkaktuar osteomielit te katër fëmijë në Kroaci, në vendin tonë tashmë janë shfrytëzuar dhe janë jashtë përdorimit. Kjo pasi serive të këtyre vaksinave u ka skaduar afati në qershor të këtij viti, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
“Ne siguruam informacionet për dy seritë e vaksinave për të cilat vërtetohet se ka efekte anësore, ato janë seritë nga vitet 2022 dhe 2023, afatet e tyre kanë përfunduar në Maqedoni tashmë para disa muajsh. Pra vaksina të tilla nuk ka më në përdorim në vendin tonë. Kemi kërkuar nga institucionet kompetente, nga Komisioni dhe IShP të bëjnë analizë, sepse për momentin nuk ka raste të evidentuara me efekte të padëshiruara nga vaksinat, të bëjmë analizë të hollësishme dhe të shohim nëse ka diçka të paediventuar në evidencë te ne në “Termini im””, deklaroi Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.
Për shkak të panikut të krijuar te qytetarët nga efektet anësore të vaksinat BCG në Kroaci të cilat janë nga prodhues bullgar, e të cilat përdoreshin edhe te ne, Klekovski njoftoi se tani do të furnizohen me vaksina nga Japonia.
Përndryshe prodhuesi bullgar thekson se raportimi i katër rasteve problematike në Kroaci nuk do të thotë domosdoshmërish se është konstatuar problem me cilësinë e vaksinës. Ndërkaq nga Komisioni për Imunizim në vendin tonë thonë se efektet e padëshiruara eventuale shëndetësore mund të paraqiten pas disa javësh por edhe pas disa vitesh. Në vendin tonë rreth 15 mijë foshnja në vit e marrin vaksinën kundër tuberkulozit dhe ende nuk janë paraqitur ndërlikime shëndetësore.


