Komisioni Evropian ka propozuar një kornizë të re për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE) e cila do t’u mundësonte vendeve kandidate të integrohen gradualisht në politika të caktuara të bllokut evropian përpara anëtarësimit të plotë, ndërsa vendet e reja anëtare do t’i nënshtroheshin masave më të forta mbrojtëse deri në 15 vjet pas anëtarësimit, transmeton Anadolu.
Sipas kornizës së propozuar, anëtarët e rinj të BE-së mund të përballen me një periudhë të zgjatur masash mbrojtëse pas anëtarësimit, gjatë së cilës blloku evropian mund të marrë masa nëse një vend shkel rëndë angazhimet e marra gjatë negociatave të anëtarësimit, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, demokracinë ose të drejtat themelore.
Komisarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian dëshiron të sigurohet që vendet që i bashkohen BE-së të mos bien nën standardet e kërkuara për anëtarësim.
“Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele”, tha Kos në një konferencë për media në Bruksel, duke theksuar se si vendet ekzistuese, ashtu edhe ato të reja anëtare duhet të gëzojnë të drejta të barabarta.
Ajo tha se masat e propozuara mbrojtëse do të shërbenin si një “politikë sigurimi” që mund të aktivizohej në rast të shkeljeve të rënda.
Masat mund të përfshijnë kufizimin e mbështetjes financiare ose në rastet më serioze pezullimin e të drejtës së një vendi të ri anëtar për të votuar në Këshillin e BE-së.
Komisioni Evropian po propozon masa mbrojtëse për një periudhë deri në 15 vjet, ndërsa thekson se masat specifike kalimtare do të duhet të negociohen mes BE-së dhe secilit vend kandidat për anëtarësim dhe të përfshihen në traktatin përkatës të anëtarësimit ose në rregulloret përkatëse.
– Integrim gradual përpara anëtarësimit të plotë
Krahas masave mbrojtëse, Komisioni Evropian po propozon një qasje më ambicioze për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE.
Kos e përshkroi integrimin gradual si një “përshpejtues të zgjerimit dhe një urë” midis objektivit gjeopolitik të BE-së për stabilizimin e Evropës dhe procesit të anëtarësimit të bazuar në merita.
Vendet kandidate që bëjnë përparim të mjaftueshëm në reformat e tyre dhe demonstrojnë përafrim strategjik me BE-në mund të lejohen të marrin pjesë në politika të caktuara të BE-së përpara se të bëhen anëtare të plota.
Komisioni Evropian planifikon të shqyrtojë integrimin më të thellë në sektor strategjik, përfshirë energjinë, transportin, inteligjencën artificiale, sigurinë dhe mbrojtjen.
“Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë”, theksoi Kos, duke shtuar se pjesëmarrja do të mbetet e “kushtëzuar, e bazuar në merita dhe e kthyeshme”.
Kos identifikoi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën si katër vendet kandidate më të avancuara drejt anëtarësimit në BE dhe tha se synon të publikojë udhërrëfyes orientues për to.
– BE-ja kërkon vendimmarrje më të shpejtë
Paketa gjithashtu bën thirrje për ndryshime në procesin e vendimmarrjes së BE-së, me qëllim përgatitjen e bllokut për një numër më të madh anëtarësh.
Komisioni Evropian tha se do të vazhdojë të mbështesë përdorimin e të ashtuquajturave klauzola “passerelle”, për të kaluar nga vendimmarrja me unanimitet në votimin me shumicë të cilësuar në fusha përfshirë sanksionet, mashtrimin tatimor dhe disa masa fiskale në politikën energjetike.
Ai propozoi gjithashtu përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar për hapjen e kapitujve të negociatave dhe vendime të tjera ndërmjetëse në negociatat e anëtarësimit.
Paketa tani do të shërbejë si bazë për diskutimet mes vendeve anëtare të BE-së, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së lidhur me ndryshimet institucionale dhe politike të nevojshme për zgjerimin e ardhshëm.


