20 mijë euro shpërblim, 30 mijë hua! Stafа mohon se paratë ishin për gjyqtarin Ristov

Ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa, i cili po vuan dënim me burg pasi pranoi fajësinë në rastin për 50 mijë euro, sot dëshmoi para Gjykatës Penale në mbrojtje të gjyqtarit Gjoko Ristov, përcjell TV21. Stafa mohoi se paratë ishin të destinuara për Ristovin. Sipas tij, 20 mijë eurot që i kishte marrë ishin shpërblim për shërbime avokatore, ndërsa 30 mijë euro të tjera, sipas dëshmisë së tij, ia kishte dhënë Lupço Pecov – Djalli, si hua.

Ai tha se fajësinë e kishte pranuar për të zgjedhur, siç u shpreh, “të keqen më të vogël”, pasi kishte frikë se nuk do të dilte gjallë nga qelia e paraburgimit. Stafa akuzoi edhe hetuesit për presion dhe keqtrajtim, duke pretenduar se i ishte kërkuar të deklaronte se paratë ishin për gjyqtarin Ristov. Në gjykatë dëshmuan edhe përfaqësues të mbrojtjes, ndërsa mes dëshmitarëve të propozuar janë edhe prindërit e Ristovit dhe vetë Lupço Pecov.