Ministria e Administratës Publike ka nisur ciklin e ri të trajnimeve gjenerike për nëpunësit administrativë për vitin 2026, me synimin që përmes rritjes së njohurive dhe zhvillimit profesional të përmirësohet cilësia, shpejtësia dhe qasja në shërbimet për qytetarët, raporton Tetovasot.
Pas trajnimeve të zhvilluara në rajonet e Shkupit, Pollogut, Lindjes dhe Pellagonisë, programi vazhdon në rajonin juglindor. Deri më tani, në këtë program janë përfshirë mbi 1.000 nëpunës administrativë.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë hapjes së trajnimeve në Strumicë theksoi se administrata publike nuk duhet parë si shpenzim, por si investim për shtetin.
“Administrata publike nuk është shpenzim. Ajo është investim në shtetin, në dije, në besim dhe në shërbime më të mira për qytetarët”, deklaroi Minçev.
Trajnimet e këtij cikli fokusohen në tre fusha kryesore: mentorimin, aftësitë komunikuese, si dhe barazinë dhe mosdiskriminimin. Qëllimi është që njohuritë e fituara të zbatohen në praktikë dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve që institucionet ofrojnë për qytetarët.
Ky proces është pjesë e reformës më të gjerë për zhvillimin profesional të administratës publike. Sipas ministrisë, me Ligjin për Aftësimin Profesional dhe Trajnimin është krijuar baza për një sistem ku mësimi dhe zhvillimi profesional do të jenë pjesë e vazhdueshme e karrierës së çdo nëpunësi administrativ.
Gjithashtu, është paralajmëruar se gjatë vitit 2027 pritet të fillojë punën Akademia për Aftësim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë.
Ministri Minçev theksoi se cilësia e shtetit matet përmes profesionalizmit të administratës.
“Qytetari e ndien shtetin kur nëpunësi vepron me profesionalizëm, përgjegjësi dhe respekt. Prandaj, trajnimet janë investim në dije, kompetenca dhe në cilësinë e shërbimeve publike”, u shpreh ai.
Sipas Ministrisë së Administratës Publike, investimi në zhvillimin profesional të administratës mbetet një nga prioritetet kryesore, me synimin për të ndërtuar institucione më efikase dhe më pranë qytetarëve.


