Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, në një konferencë për media ngriti shqetësimin se Gjykata Kushtetuese mund të vazhdojë, siç u shpreh ai, me injorimin e gjuhës shqipe gjatë shqyrtimit të akteve normative.
Reagimi i tij lidhet me seancën e paralajmëruar për nesër, më 7 tetor, në rendin e ditës së të cilës, sipas Ademit, është edhe Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme. Rregullorja është miratuar nga ministrja e Arsimit dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 32/2026, shkruan gazeta KOHA.
“A po përgatit Gjykata Kushtetuese goditjen e radhës ndaj gjuhës shqipe? A po vazhdon Gjykata Kushtetuese me të njëjtin avaz duke injoruar gjuhën shqipe?”, pyeti Ademi.
Sipas tij, rregullorja është kontestuar nga aspekti kushtetues, pasi është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, megjithëse, siç theksoi, ekziston detyrimi për publikimin e saj edhe në shqip. Ademi argumentoi se kjo bie ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës dhe nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ai theksoi se neni 17 parashikon që ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e institucioneve që botohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe, me alfabetet përkatëse.
Në mbështetje të qëndrimit të tij, Ademi iu referua edhe nenit 8, paragrafit 1, të Ligjit për publikimin e ligjeve, rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare. Sipas tij, edhe kjo dispozitë përcakton detyrimin për publikimin në të dyja gjuhët të akteve të organeve të pushtetit shtetëror, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Ademi vlerësoi se publikimi i akteve normative nuk mund të trajtohet si çështje thjesht teknike, pasi lidhet me zbatueshmërinë e tyre dhe me garancitë kushtetuese të të drejtave të qytetarëve.
Për këtë, ai përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të evidentuar me numrin U.nr. 89/2023, me të cilin, sipas tij, ishte shfuqizuar udhëzimi për ndryshimin dhe plotësimin e mënyrës së mbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe shkresave, i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 125, më 15 qershor 2023.
Duke iu referuar arsyetimit të atij vendimi, Ademi tha se vetë Gjykata e ka trajtuar publikimin si një çështje thelbësore për hyrjen në zbatim të akteve normative dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore.
Në këtë kontekst, ai shtroi pyetjen nëse mospublikimi i rregullores në shqip do të konsiderohet shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve, apo nëse gjuha shqipe do të trajtohet, siç u shpreh, si çështje e kategorisë së dytë.
Ademi paralajmëroi se një qasje e tillë mund të hapë rrugën që në të ardhmen edhe ligjet të publikohen vetëm në maqedonisht. Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje nëse Gjykata po ndryshon praktikën e saj kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve.


