Kosova është e kombit dhe jo e UÇK-së!

Për të qenë objektivë, të sinqertë dhe mirënjohës, Kosova është çliruar më 12 qershor 1999 nga ushtritë e vendeve kryesore të NATO-s, më së pari nga ushtria e SHBA-së! Po të ishte për 12.000-20.000 luftëtarë të UÇK-së dhe për Hashim Thaçin me ca shokë si vetja, që paskan vrarë më shumë shqiptarë sesa serbë, Kosova do të ishte edhe sot e kësaj dite nën Serbi!

Merret me mend se, nëpërmjet disa drejtuesve të saj të lartë, PDK është peng e hershme, apo qysh nga pjellja, e Beogradit… Nuk kërkon lodhje të truve me kuptue se kriza në Kosovë, sipas urdhrit nga Vuçiçi, duhet të zgjatet derisa të rrëzohet qeveria antiserbe e Albin Kurtit e në vend të saj të vendoset një qeveri filoserbe PDK-LDK-AAK-LISTA SERBE…!?

Analizuar nga të gjitha drejtimet, Kosova nuk është UÇK! Liria, pavarësia, shteti i Kosovës nuk janë dhurata nga UÇK-ja! Aspak nga askushët apo pakkushët Hashim Thaçi me ca shokë për kokë, miq të Fatos Klosit në Hotel “Rogner” në Tiranë e të Radojçiçit në Mitrovicë dhe gjetiu në Kosovë e përtej kufirit të saj, që i ndihmuan “vllaznisht” me kap poste të larta në UÇK e pas çlirimit nga pushtimi serb, në qeverisjen dhe shtetin e Kosovës së pavarur!

Një dyshim shprehur nëpërmjet një pyetjeje, nëse deputetët e PDK-së e të tjerë të opozitës nuk votojnë më 6 tetor 2026 për presidentin, kë duan më shumë, veten, partinë, Kosovën, Serbinë…???

A nuk jepen boll arsye, fakte, shkaqe me mendue e kuptue se për këto ditë protestash të dhunshme që po përjetohen kanë mendue, punue dhe investue Vuçiçi me shtet e qeveri! Domethanë, “të bahet flakë e shkrumb Kosova, që të lumturohet dhe zmadhohet Serbia, nga vetë mendt dhe duart e shqiptarëve, pa qenë nevoja me çue ushtri serbe…!”

Nëse do të ndodhte ajo që duan si të çmendur Vuçiçi me çiça të tjerë në Beograd e gjetiu në Serbi, do të ishte dëshmi e qartë se partitë shqiptare të opozitës në Kosovë janë në unitet dëshire, mendimi apo në pazar politik me Beogradin qeveritar e të financuara fort prej tij, me rrëzue qeverinë antiserbe LVV – Albin Kurti e me vënë në vend të saj një qeveri filoserbe, me politikanë nga PDK, AAK, LDK… dhe Lista Serbe! Kjo do të ishte në mënyrë figurative edhe shklyerja e plotë e maskave gjase shqiptare prej këtyre partive dhe udhëheqësive të tyre!

Kjo krizë politike, kapur si i pragmbytmi tek dy fije kashte, tek posti i presidentit dhe dënimi i 4 ish-drejtuesve të UÇK-së, për krime individuale, shumica ndaj shqiptarëve e pas lufte e jo si UÇK, është shumë më tepër e investuar dhe eksportuar nga Beogradi qeveritar e shtetëror nëpërmjet BIA-s dhe strukturave të tjera serbe sesa për arsye, shkaqe e motive të justifikueshme vendore, Kosove!

Shkurt e SHQIP: për një copë Hashim Thaçi e një çikë president a kryetar, protestuesit që po shkaktojnë trazira e dhunë, po rrezikojnë dhe sakrifikojnë Kosovën mbarë???!!! Ndërsa në Beograd e në mbarë Serbinë, do t’u dhuronin serbëve plot arsye që, mes gëzimit, festimeve dhe habisë, të pyesnin: këta a i kanë mendt kresë dhe a janë me zemra shqiptarë…?!

Sinqerisht, e kam të vështirë të toleroj e jo më të pranoj se, duke u mbajtur për shqiptarë, ata që janë bashkue mes vedi e me serbët me ia ba këtë gjamë Kosovës mund të arrijnë deri në këtë shkallë papërgjegjshmërie dhe paskrupullsie…!? Marre e turp a kanë dhe a ndjejnë?

Të gjithëve, partiakë e politikanë nëpër kryesi partickash dhe tufa anëtarësh dhe votuesish, që u shkojnë pas si bagëtia, do t’u lutesha që të kujtojnë se mbi parti e kryetar; mbi një mandat deputeti e post pushteti; mbi një dorë euro shteti Kosove apo të Serbisë, janë Kosova dhe Kombi!

Mesazhi përmbyllës, për sot, sepse për nesër ndoshta do të ishte vonë, më i vlefshëm për popullin, politikën dhe shoqërinë e Kosovës, do të ishte:

Kjo krizë politike, kapur si i pragmbytmi tek dy fije kashte, tek posti i presidentit dhe dënimi i 4 ish-drejtuesve të UÇK-së, për krime individuale, shumica pas lufte e jo si UÇK, është shumë më tepër e investuar dhe eksportuar nga Beogradi qeveritar e shtetëror nëpërmjet BIA-s dhe strukturave të tjera serbe!

Prandaj është urgjente dhe e domosdoshme që të mendojnë së pari e më shumë si SHQIPTARË sesa si partiakë. Të mos i shohin kundërshtarët politikë shqiptarë si armiq, por si misionarë të besimit, mbështetjes dhe votës së shumicës së popullit të Kosovës, si bashkëpunëtorë për të punuar me mish e me shpirt, me mendje dhe përgjegjshmëri për të konsoliduar, modernizuar, fuqizuar, prosperitetizuar shtetin e pavarur të Kosovës dhe për të rritur pareshtur nivelet e të ardhurave mujore e të mirëqenies të popullit. Të mos i shikojnë mandatet dhe postet si burime të pashtershme për përfitime sa më të mëdha personale, familjare, klanore, partiake…!

Së fundmi: ata që janë liderët më të lartë, të mos mendojnë se janë të pagabueshëm, të pakritikueshëm, të pandëshkueshëm…, të pazëvendësueshëm! Edhe që të mos e përjetojnë rrotacionin politik, humbjen e përkohshme të pushtetit dhe qeverisjes, 1, 2, 3 mandate si gjëmë e kiamet, sidomos për vete, me soi e sorollop familjar, klanor, partiak, qeverisës, biznesor…!