Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të trajtohet me urgjencë dhe të votohet edhe në lexim të dytë.
Tahiri ka thënë se protesta para Kuvendit tregon, sipas tij, ndjeshmërinë e qytetarëve për këtë çështje.
“Me plot të drejtë, ndjeshmëria dhe protestuesit në këtë moment, qyteti i Prishtinës dhe Kuvendi është i rrethuar me shqiptarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë dhe këtë çështje. Andaj, ne nuk duhet të sillemi dhe të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë”, tha deputeti në foltoren e Kuvendit.
Ai ka kërkuar që mocioni për Projektligjin të procedohet me urgjencë.
“Po kërkojmë që të trajtohet me urgjencë mocioni dhe Projektligji me u votu edhe në leximin e dytë.”
Tahiri ka deklaruar se UÇK-ja, sipas tij, qëndron mbi dallimet partiake.
“UÇK-ja është mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë”.


