Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vlerësuar punën e Qeverisë si “frymëzuese” në fushën e reformave dhe procesit të integrimit evropian.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ekziston pakënaqësi ndaj mesazheve të Von der Leyen ose ndaj ngecjes së rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian, Mickoski hodhi poshtë këto pretendime.
“Unë këto i kam dëgjuar nga opozita dhe nga disa media pranë opozitës. Mendoj se jo vetëm që nuk e thonë të vërtetën, por po përpiqen edhe ta shtrembërojnë atë. Përkundrazi, unë thashë se patëm një takim jashtëzakonisht cilësor, përmbajtësor dhe miqësor. Gjithçka që përfaqëson përkushtimin tonë dhe të Bashkimit Evropian na motivon të vazhdojmë në rrugën e reformave dhe kështu do të veprojmë edhe në periudhën që vjen”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se presidentja e Komisionit Evropian ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për punën e ekzekutivit.
“Presidentja Von der Leyen, si asnjëherë më parë, tha se kjo Qeveri po bën një punë frymëzuese për reformat dhe për gjithçka që lidhet me përkushtimin për anëtarësimin e shtetit në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.
Në fund, Mickoski theksoi se pret që në periudhën e ardhshme të intensifikohet procesi i integrimit evropian dhe të gjendet një zgjidhje për sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën drejt BE-së.


