Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u takua me drejtoreshën e IFES-it për Maqedoninë e Veriut, Ioana Cosma, me të cilën bisedoi për procesin e reformave zgjedhore dhe hapat e mëtejshëm drejt avancimit të legjislacionit zgjedhor.
Në fokus të bisedës ishte nevoja që ky proces të zhvillohet përmes dialogut, përfshirjes së të gjitha palëve dhe gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e besimit në procesin zgjedhor.
Ministria e Drejtësisë tashmë ka ndërmarrë hapa për rikthimin e dialogut mes aktorëve politikë. Takimi i fundit konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare ishte pjesë e përpjekjeve për të zhbllokuar procesin dhe për t’i rikthyer çështjet e hapura në tryezën e diskutimit.
Shasivari theksoi se reforma zgjedhore nuk mund të jetë proces i njëanshëm dhe se avancimi i saj kërkon komunikim të vazhdueshëm, gatishmëri për të dëgjuar argumentet e palëve dhe një qasje që synon ndërtimin e konsensusit.
Me Cosma-n u bisedua edhe për bashkëpunimin me IFES dhe përvojën që kjo organizatë sjell në proceset zgjedhore, si dhe për mundësitë që kjo ekspertizë të shfrytëzohet gjatë punës së mëtejshme për reformën zgjedhore.


