E ardhmja e Cristiano Ronaldos me Portugalinë mbetet mister, ndërsa nga Franca dhe Portugalia vijnë dy versione krejt të ndryshme për atë që mund të ndodhë me kapitenin legjendar.
Fillimisht ishte prestigjiozja franceze L’Équipe që raportoi se Federata Portugeze e Futbollit po punon për të bindur Cristiano Ronaldon të rikthehet në Kombëtare për një ndeshje të fundit. Sipas gazetës franceze, ideja është që CR7 të ketë mundësinë të përshëndetet me tifozët portugezë në fushë dhe t’i japë një fund simbolik karrierës së tij ndërkombëtare.
Por vetëm pak më vonë, nga Portugalia vjen një kundërpërgjigje e fortë. Record shkruan se, ndryshe nga raportimi i L’Équipe, aktualisht nuk ka asnjë bisedë apo negociatë për organizimin e një ndeshjeje lamtumire për Ronaldon. Sipas burimit portugez, një skenar i tillë është për momentin vetëm spekulim dhe nuk ka bazë konkrete.
Record thekson se e ardhmja e 41-vjeçarit me Portugalinë mbetet ende e hapur dhe se vendimet për të ardhmen e tij pritet të merren pas ndeshjes së Portugalisë ndaj Norvegjisë. Federata, sipas këtij raportimi, synon fillimisht të gjejë një mënyrë për të riparuar marrëdhënien me Ronaldon dhe për ta bindur atë të rikthehet në skuadër.
Pra, për momentin, lamtumira e Cristiano Ronaldos nga Portugalia nuk është një fakt i konfirmuar. L’Équipe flet për një rikthim të mundshëm dhe një ndeshje të fundit, ndërsa Record thotë se një ndeshje e tillë nuk është në diskutim. Një gjë duket e sigurt: kapitulli Ronaldo–Portugali ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe ajo që do të ndodhë pas përballjes me Norvegjinë mund të jetë vendimtare për të ardhmen e CR7 me Kombëtaren.


