Këngëtarja shqiptare Eli Fara ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes së videove të saj intime në rrjetet sociale.
Në një reagim publik, Fara thotë se është e lënduar nga cenimi i privatësisë, por se nuk ndihet e turpëruar.
“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si gratë përballen me gjykimet e shoqërisë, duke theksuar se viktimat shpesh detyrohen të përballen edhe me turpin e veprimeve që janë kryer ndaj tyre
“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet Eli Fara.
Ajo ka bërë të ditur se çështjen do t’ia lërë drejtësisë, ndërsa ka apeluar te publiku që të mos shpërndajë më tej materialet intime.
Në fund, Eli Fara ka falënderuar familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë periudhë, duke thënë se dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin forcë të vazhdojë përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.



