Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka vizituar ekspozitën “Extraordinary Textiles”, e cila prezanton pasurinë kulturore të Meksikës përmes artit të tekstilit, ngjyrave dhe traditës.
Përmes një njoftimi, Sali theksoi rëndësinë e artit dhe kulturës në afrimin e popujve dhe forcimin e mirëkuptimit ndërmjet tyre.
“Arti dhe kultura ndërtojnë ura miqësie mes popujve”, u shpreh Sali, duke ndarë përshtypjet nga vizita në ekspozitë.
Ai vlerësoi se aktivitete të tilla krijojnë mundësi për njohjen e kulturave të ndryshme dhe nxisin dialogun kulturor, respektin e ndërsjellë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Takime të tilla na afrojnë dhe na kujtojnë vlerën e dialogut kulturor, respektit të ndërsjellë dhe ruajtjes së trashëgimisë që u përcjellim brezave të ardhshëm”, theksoi Sali.


