Hidrocentralet “Kozjak” dhe “Sveta Petka” kanë tejkaluar planin e paraparë për prodhimin e energjisë elektrike gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Të dhënat u prezantuan gjatë vizitës së punës të Bordit Drejtues të SHA EMV në HEC “Kozjak” dhe HEC “Sveta Petka”.
Sipas njoftimit të drejtorit të HES “Treska”, Astrit Iljazi, deri në fund të tremujorit të tretë, HEC “Kozjak” ka dorëzuar 92.307 MWh energji elektrike, duke tejkaluar planin e prodhimit sipas bilancit energjetik për më shumë se 22 për qind.
Në të njëjtën periudhë, HEC “Sveta Petka” ka prodhuar 40.722 MWh energji elektrike, që përfaqëson rreth 14 për qind më shumë se sasitë e planifikuara.
Gjatë takimit me Bordin Drejtues të SHA EMV dhe ekipin drejtues të HES “Treska” janë prezantuar edhe aktivitetet operative dhe gjendja teknike e hidrocentraleve në prag të sezonit të ardhshëm të ngrohjes.
Sipas Iljazit, kushtet e favorshme hidrologjike dhe optimizimi i potencialit prodhues kanë bërë që të dy hidrocentralet ta presin sezonin e ardhshëm me rezerva të konsiderueshme ujore në akumulime dhe me nivel të lartë të gatishmërisë teknike për prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike.
Në takim janë diskutuar edhe projektet e ardhshme zhvillimore, ndër të cilat Projekti për Hidrocentralin Reverzibil “Kozjak 3” dhe ndërtimi i Tunelit “Tenovë–Kozjak”.
Sipas drejtorit të HES “Treska”, këto projekte synojnë rritjen e prodhimit vendor nga burimet e ripërtëritshme, shfrytëzimin më efikas të potencialit ujor dhe forcimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik.
Iljazi ka shprehur mirënjohje për Bordin Drejtues të SHA EMV për vizitën dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të kapaciteteve hidroenergjetike.


