Në aksionin e MPB-së, me të cilin u shkatërrua një grup i organizuar kriminal nga Prilepi, i përfshirë në tregti të paligjshme me drogë dhe kriminalitet ekonomik, janë sekuestruar disa vetura luksoze, si dhe një shumë e madhe parash.
Më 30 shtator 2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inteligjencës Financiare dhe Departamentin për Operacione Policore Speciale, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas një hetimi kriminal disa mujor, zhvilloi një aksion të koordinuar policor, me ç’rast u shkatërrua një grup i organizuar kriminal prej 21 anëtarësh.
Grupi përbëhej nga 20 persona nga Prilepi dhe një person nga Shkupi, të cilët për një periudhë më të gjatë kohore dyshohet se kanë kryer vepra penale që lidhen me tregtinë e paligjshme të drogës dhe kriminalitetin ekonomik.
Duke vepruar në bazë të urdhrave gjyqësorë, janë kryer kontrolle ndaj 31 personave, në gjithsej 36 lokacione – 33 në territorin e Prilepit, dy në Shkup dhe një në Strugë.
Gjatë aksionit janë privuar nga liria 20 persona, ndërsa gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar lëndë bimore, lëndë pluhur e bardhë, lëndë në formë kokrrash, një pistoletë me gaz, municion i kalibrave të ndryshëm, një shumë e madhe parash në valutë të huaj dhe denarë, vetura, motoçikleta, telefona celularë, një grirëse metalike, detektor metali, peshore dhe sende të tjera.
Njësia për Krim të Dhunshëm, Delikte të Gjakut dhe Tregti të Paligjshme me Armë dhe Materie të Rrezikshme pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, pas kontrolleve të kryera dhe sendeve të gjetura, si dhe në bazë të provave materiale të siguruara më herët, më 30 shtator 2026 i dorëzoi Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kallëzim penal ndaj gjithsej 21 personave.
Katër persona, N.V. (38), M.I. (35), B.I. (62) dhe M.S. (29), akuzohen për “prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” dhe “larje parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
Ndaj 16 personave të tjerë nga Prilepi është ngritur kallëzim penal për “prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, ndërsa ndaj personit T.D. (75) nga Shkupi për “larje parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
Sipas hetimit, nga shkurti deri në tetor të vitit 2026, N.V. dhe M.S. kanë krijuar një grup të organizuar kriminal me qëllim kryerjen e veprave penale që lidhen me tregtinë e paligjshme të drogës dhe armëve, si dhe kriminalitetin ekonomik.
Sipas MPB-së, N.V. e siguronte kokainën dhe marihuanën nga persona të panjohur me origjinë nga Shqipëria, Struga dhe Dibra dhe e mbante drogën në lokacione të sigurta në Shkup dhe Prilep. Më pas, ai kishte organizuar një rrjet rishitësish, të cilët e shisnin drogën te blerës nga Prilepi, Manastiri, Kavadari, Negotina, Velesi dhe Shkupi.
Marihuana shitej me çmim prej 500 deri në 800 denarë për gram, ndërsa kokaina nga 4.000 deri në 6.000 denarë për gram. Paratë nga shitja, sipas hetimit, i dorëzoheshin N.V., i cili një pjesë ua jepte rishitësve si shpërblim. Paratë më pas dyshohet se përdoreshin për blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Edhe M.S. dyshohet se siguronte kokainë dhe marihuanë nga persona të panjohur me origjinë nga Dibra dhe Gostivari dhe e mbante drogën në lokacione të sigurta në Prilep. Ai kishte organizuar një rrjet rishitësish, të cilët e shisnin drogën në Prilep, Manastir, Kavadar, Negotinë dhe Veles, ndërsa paratë nga shitja i dorëzoheshin M.S.
Në periudhën nga viti 2025 deri në vitin 2026, N.V., M.I., B.I., M.S. dhe T.D. dyshohet se kanë futur në qarkullimin e ligjshëm financiar para për të cilat kanë qenë në dijeni se rridhnin nga kryerja e veprës penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Sipas MPB-së, qëllimi ka qenë fshehja e mëtejshme e lëvizjes dhe vendndodhjes së parave. Bëhet fjalë për gjithsej 4.990.270 denarë dhe 64.670 euro.


