Von der Leyen për aktgjykimin në Hagë: Ka shkaktuar emocione të fuqishme në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosova po kalon nëpër një moment të rëndësishëm politik.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka mbështetur Kosovën në rindërtim, zhvillim ekonomik, reforma dhe në themelimin e institucioneve moderne e demokratike.

Duke folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ajo tha se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme në Kosovë.

“E çmoj angazhimin tuaj të matur. Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, deklaroi von der Leyen, njofton Klankosova.tv.

Ajo theksoi se rezistenca e Kosovës nuk ka qenë pjesë e gjykimit.

“Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim.”, tha ajo.

Von der Leyen vuri theks të veçantë te stabiliteti institucional i Kosovës, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të Kuvendit dhe Qeverisë.

Ajo tha se po sheh mundësi që partitë politike të zhvillojnë dialog, duke e konsideruar këtë të rëndësishëm për tejkalimin e situatës politike në vend.

Presidentja e Komisionit Evropian përsëriti mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e reformave, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve demokratike.