Revizioni zbulon dobësi në sistemin “Termini im”: Probleme në mirëmbajtje, kontrolle dhe mbrojtjen e të dhënave

Revizioni shtetëror ka konstatuar një sërë dobësish në funksionimin e sistemit shëndetësor “Termini im”, përcjell TV21. Nga 1 janari 2021 deri më 30 prill 2026, sistemi ka qenë gjithsej 738 ditë pa kontratë mirëmbajtjeje, që përbën 37,9% të periudhës së analizuar.

Për mirëmbajtjen e “Termini im” dhe sistemeve të tjera në institucionet shëndetësore publike janë shpenzuar 333,3 milionë denarë, ose 5,42 milionë euro. Vetëm 9% e kësaj shume i referohet sistemit kombëtar shëndetësor, ndërsa pjesa tjetër sistemeve të tjera. Revizioni ka konstatuar edhe mungesë të stafit në Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, ku janë plotësuar vetëm 29% e vendeve të parashikuara të punës.

Probleme janë evidentuar edhe me sigurinë e të dhënave. Nuk ka procedura të mjaftueshme për kontrollin e qasjes së përdoruesve, monitorimin e aktiviteteve dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, SMS-të për rikujtimin e termineve kanë përbërë vetëm 10,1% të numrit të realizuar të udhëzimeve. Po ashtu, në sistem nuk janë evidentuar ndërhyrjet kirurgjikale të këtij spitali, edhe pse bëhet fjalë për një nga spitalet më të ngarkuara në vend.

Revizioni ka konstatuar se në vitin 2023 janë realizuar vetëm 24 nga 62 kontrollet e planifikuara në institucionet shëndetësore, ndërsa në vitet 2024, 2025 dhe 2026 nuk janë miratuar fare plane vjetore për kontrolle. Një tjetër problem është se emri “Termini im” është regjistruar në vitin 2024 nga operatori ekonomik që mirëmban sistemin, ndërsa po zhvillohej edhe procedura për regjistrimin e logos.

Revizioni rekomandon masa për mirëmbajtje të vazhdueshme të sistemit, forcimin e sigurisë së IT-së dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe përmirësimin e kontrolleve dhe infrastrukturës teknologjike në shëndetësinë publike.