Donika Gërvalla: Në 81-vjetorin e lindjes së Babit (Jusuf Gërvallës), dua të ndaj me ju një faqe nga ditari i tij

Shumë të dashur miq, në 81-vjetorin e lindjes së Babit, dua të ndaj me ju një faqe nga ditari i tij, të shkruar në Ludwigsburg më 30 dhjetor 1979, vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë pas arratisjes së tij nga Kosova. Sot, në Kosovën e lirë, eshtrat e tij prehen në Dubovik.

Në ç’gjendje të shthurur shpirtërore jam tërë kohën, mund të shihet edhe nga përmbajtja edhe nga kaligrafia e këtij shkrimi.
Po arsyetohem, duke thënë që nuk është çudi. Jam shkëputur nga toka që më lindi e më ushqeu më se 34 vjet. Kurrë s’i kam pasur në hatër largimet nga vendlindja, as për shëtitje të shkurtra, madje, dhe sesi po më vjen sikur jam shkëputur nga pjesa më e fuqishme e vetvetes.
Pas shpine lashë qindra e qindra të burgosur politikë, që po bien sakrificë për çështjen e atdheut, mes tyre Hysenin dhe Ekremin; lashë gruan me tre fëmijë dhe gruan e Hysenit me shtatë fëmijë. Një shthurje e madhe e vendlindjes dhe e familjes njëherazi.