Goditet Qeveria e Erdoganit! Skandali i fondeve të investimeve prek 500 mijë persona

Një krizë e përmasave historike ka përfshirë tregun financiar në Turqi, pasi rreth gjysmë milioni persona janë prekur nga fondet e investimeve të akuzuara për skema të ngjashme me skemat piramidale. Autoritetet kanë urdhëruar likuidimin e rreth 130 fondeve, me një vlerë totale prej rreth 17 miliardë dollarësh.

Kriza financiare është shndërruar me shpejtësi edhe në një problem politik për administratën e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, pasi janë ngritur pikëpyetje mbi lidhjet mes fondeve, drejtuesve të tyre dhe figurave të afërta me pushtetin. Një nga figurat politike që është akuzuar drejtpërdrejt është Fatma Betül Sayan Kaya, ish-ministre e Familjes dhe një prej drejtuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Ajo dha dorëheqjen të dielën, pasi opozita e akuzoi se kishte realizuar fitime të konsiderueshme nga shitja e aksioneve pak para se kriza e fondeve të shkaktonte një rënie të fortë të bursës më 16 shtator.

Presidenti Erdogan iu referua të hënën çështjes, duke deklaruar se autoritetet do të ndjekin penalisht personat përgjegjës për manipulimin e tregut dhe skemat e tregtimit të dyshuara si mashtruese. “Kushdo që prek të drejtat, pasuritë apo interesat ligjore të kombit do të përballet me ne dhe me shtetin”, deklaroi Erdogan.

Fondet e përfshira në krizë kishin përqendruar investimet në aksione me likuiditet të ulët dhe me një numër relativisht të vogël aksionesh në qarkullim. Kjo e bënte më të lehtë rritjen artificiale të çmimeve. Një shembull është fondi Tera, i cili gjatë vitit të fundit kishte regjistruar një kthim prej më shumë se 1,500%, një rritje që ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën e formimit të këtyre vlerave. Autoritetet kanë vendosur një afat prej gjashtë muajsh për shitjen e aseteve të fondeve dhe kthimin e parave tek investitorët. Megjithatë, ekspertët shprehen pesimistë për shumën që investitorët do të mund të rikuperojnë, pasi shumë prej tyre mund të mos marrin fitimet e fryra që pasqyroheshin në vlerën e investimeve të tyre.

Kriza mund të ketë edhe pasoja politike, pasi një pjesë e investitorëve të prekur besohet se janë votues të partisë në pushtet, duke rritur potencialisht koston politike të skandalit për qeverinë Erdogan.