Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, në konferencën për shtyp në Qeveri njoftoi se nga sot, në orën 12:00, është hapur sistemi për aplikim elektronik në Konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në fusha dhe veprimtari të veçanta të kulturës për vitin 2027.
Sistemi për aplikim elektronik do të jetë i hapur deri më 30 tetor 2026, deri në orën 15:30.
Në konferencën për shtyp, ministri Sulejmani theksoi se konkurset synojnë mbështetjen e projekteve cilësore, inovative dhe të qëndrueshme, të cilat pasurojnë ofertën kulturore, hapin hapësirë për shprehje të reja krijuese, krijojnë publik të ri dhe kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë rajonale dhe ndërkombëtare të kulturës maqedonase.
“Kulturën e shohim si investim strategjik në potencialin krijues dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Me konkurset për vitin 2027, vazhdojmë me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, por edhe me qëllim të përcaktuar qartë – të mbështesim projektet që kanë cilësi, vizion dhe potencial për të krijuar vlerë afatgjatë. Presim projekte profesionale dhe të menduara mirë nga artistët, shoqatat dhe organizatat tona kulturore”, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sulejmani.
Ai informoi se në fokus do të jenë projektet me potencial për kontribut afatgjatë në zhvillimin kulturor përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar dhe tërheqjes së publikut të ri.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe projekteve që do të realizohen në zonat kufitare, me qëllim që përmbajtjet kulturore të jenë të qasshme në mjedise të ndryshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale.
“Politika jonë është gjithëpërfshirëse, por edhe e përgjegjshme: i mbështesim të gjithë ata që krijojnë vlerë, duke insistuar njëkohësisht në profesionalizëm, përgjegjësi dhe kontribut të matshëm. Shteti qëndron fuqishëm pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të tij kulturorë”, tha ministri Sulejmani, duke shtuar se me këto konkurse dhe me investimet kapitale që realizohen paralelisht, krijohen kushte për kulturë të qëndrueshme, të dukshme dhe me vetëbesim.


